Partia Demokratike do të votojë në seancen plenare të 13 Shkurtit pro amendametit në Kodin Zgjedhor ku parashikohet që të gjitha kostot e shërbimit postar për fletën e votimit të paguhen nga shteti.
“Këtë amandament sigurisht që e votojmë, që nesër.”
Por nëse shumica nuk pranon kushtin e tyre për të lejuar të votojnë dhe emigrantët që s’kanë asnjë dokument identifikimi shqiptar, deputetët e opozitës do të votojnë kundër ndryshimeve të tjera në Kodin Zgjedhor.
“Këta kanë kërkuar lëvizje afatesh, ato nuk i votojmë ne nëse këta nuk pranojnë që të votojnë me dokumente biometrike të vendit ku jetojnë emigrantët shqiptarë.”
Berisha në bashkëbisedimin me gazetarët bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e të shtunës pasdite. Ai siguroi që do të jetë protesta më e madhe opozitare që ka parë kryeqyteti dhe iua la qytetarëve në dorë të vendosin nëse do të jetë protesta që do të rrëzojë Ramën nga pushteti apo do të presin 11 Majin ta rrëzojnë me votë.
“Po nëse qytetarët nesër thonë se nuk e durojmë dot më, Sali Berisha i mbështet ata plotësisht.”
Strategjia për ta larguar me votë shumicën socialiste do të mbështetet tek krijimi i një fronti të gjerë opozitar, për të cilin Berisha foli dhe në takimin që zhvilloi gjate paradites me aleatët.
“Edhe partitë e tjera janë të ftuara. Le t’i lënë problematikat me njëri-tjetrin dhe të bashkohen me ne sepse çdo problem që mund të keni njëri-tjetrin nuk krahasohen kurrë me problemet që kanë shqiptarët me Edi Ramën.”
Sali Berisha në të dy daljet u mor sërish me deklaratat e ish-zv.kryeministrit Ahmetaj që ai beson se i bëri një shërbim vendit duke folur për abuzimet me pushtetin nga ish-shefi i tij, Kryeministri Rama.
Tv Klan