Turi i Shqipëria po Ndryshon i ka shërbyer kryeministrit po aq për një inspektim të ecurisë së pajisjes së shtetasve me kartat e reja të identitetit.
Kryeministri ishte të shtunën në komunën Çërravë të Korçës, ku ndonëse në ditë pushimi qendra e aplikimeve u shërbente banorëve të zonës.
Në bashkëbisedimin me banorët Berisha garantoi se javën që vjen qeveria do të shpallë skemën që përshpejton procesin e rimbursimit të çmimit të qytetarëve përfitues të saj.
Kryeministri i drejtoi një apel opozitës të ndihmojë në procesin e përshpejtimit të pajisjes së shtetasve me letërnjoftimet e reja larg tendencave politizuese.
Sali Berisha: “Unë e ftoj dhe opozitën. Deklaratat e përditshme do të ishte mirë të zëvendësoheshin me kontrolle në kuadrin e komisionit parlamentar ose do të ishte mirë që të ishin më pak politike. Opozita ka pushtetin vendor ne qytetet e mëdha të vendit pothuaj dhe qytetet e mëdha të vendit kanë një numër shumë të madh popullate, kanë qendrat e shumta të aplikimeve. Mirë është t’i lëmë qeveritarët vendorë të shprehin shqetësimet në rast se ekzistojnë”.
Kryeministri i dha përgjigje dhe deklarimeve të opozitës se procesi për pajisjen e shtetasve me karta identiteti ka dështuar.
Sali Berisha: “Këto janë tërësisht deklarata në kuadrin e një përpjekje shkurajuese, por unë shoh që ka një seri komunash ku të gjithë qytetarët pa pasaporta kanë aplikuar edhe jam i sigurt se ata janë të të gjithë spektrit politik. Nuk duhet të ndjellim pesimizëm dhe dëshpërim në një akt shumë të rëndësishëm, akt në të cilin këta qytetarë këtu në Çërravë do të kenë letërnjoftime të teknologjisë më të lartë, njëlloj si qytetarët e Berlinit, Londrës apo Parisit”.
Koka: Berisha: Pogradeci qendër kryesore turistike
Kryeministri ishte në Tushemisht të Pogradecit. Këtu u inaugurua faza e parë e punimeve për ndërtimin e rrjetit të brendshëm të kanalizimeve të ujërave të përdorura.
Kjo i ka kushtuar buxhetit të shtetit 60 milion lekë dhe është pjesë e projektit, “Ndotja mjedisore e liqenit të Ohrit”.
Për kryeministrin ky projekt së bashku me sistemin e kanalizimeve të Pogradecit synojnë t’i kthejnë liqenit të Ohrit pastërtinë dhe kthjelltësinë e kristaltë natyrore të tij.
Sali Berisha: “Këtë mandat në Pogradec dhe Tushemisht ne realizuam një projekt, të cilin e kanë patur më përzemër të gjithë qytetarët e kësaj zone. Realizuam mbrojtjen e liqenit, por unë iu garantoj ju që vitet që vijnë do të jenë vitet e bumit të madh dhe turistik të Pogradecit. Jemi të vendosur të investojmë të gjitha projektet në këtë qendër shumë të rëndësishme turistike për vendin”.
Kryeministri garantoi banorët se brenda muajve do të fillojë ndërtimi i rrugës Qafë Plloç-Qukës, e cila krijon lehtësi kryesisht për qytetarët e Elbasanit, tradicionalisht pushues në liqenin e Pogradecit./tvklan.al