Ish-Kryeministrit Sali Berisha i është komunikuar ditën e sotme akuza e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Për të folur lidhur me këtë ngjarje në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan ishte i ftuar juristi i Partisë Demokratike, Ivi Kaso i cili u shpreh se me ndryshimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave kanë përfituar mbi 400 mijë shqiptarë. Kaso u shpreh se “nuk ka budalla që mund të besojë që Sali Berisha ka ngritur një infrastrukturë të tërë ligjore nga e cila mund të përfitonte dhëndri i vet 410 metra katrorë tokë.”

Ndër të tjera Kaso e quan një gafë ligjore faktin që ish-Kryeministri është akuzuar për korrupsion pasiv në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi që nuk ka mbajtur asnjëhere funksion publik.

Ivi Kaso: Akuza kryesore është ajo e korrupsionit pasiv. Akuzohet shtetasi Sali Berisha se duke përfituar nga funksioni i tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë ka miratuar ligj ose akte nën ligjore si ajo e kthimit dhe të kompensimit të pronave…

Blendi Fevziu: Mirë por ndërimi i ligjit është bërë nga Parlamenti dhe Parlamenti i ka sovrane vendimet e tij.

Ivi Kaso: Sigurisht që është bërë nga Parlamenti. Jo vetëm kaq, por mbi të gjitha jetëzimi i një projekti politik dhe problemi politik me të cilin Partia Demokratike erdhi në pushtet, ajo për të bërë të mundur rikthimin e plotë të pronave te pronarët. Premtim ky elektoral u mbajt nga Sali Berisha që i hapi rrugën një procesi nga të cilët kanë përfituar mbi 400 mijë shqiptarë dhe nuk ka budalla që mund të besojë që Sali Berisha ka ngritur një infrastrukturë të tërë ligjore nga e cila mund të përfitonte dhëndri i vet 410 metra katrorë si një fragment i vogël i pronës të njërës nga familjet…

SPAK pretendon që Sali Berisha e ka krijuar këtë infrastrukturë jo për të përfituar vetë, por për të përfituar në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezin. Se thuhet korrupsion pasiv në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi që nuk ka mbajtur asnjëhere funksion publik dhe nga këtu fillon gafa ligjore sepse nuk mund të akuzohet në bashkëpunim me një person tjetër që nuk ka qenë funksionar dhe e gjitha kjo për të përfituar Jamarbër Malltezi 410 metra katrorë si trashëgimtar në një të tetën pjesë i familjes Begeja në një nga shumë pronat e kësaj familje./tvklan.al