Kryedemokrati Sali Berisha ka thënë se pa zgjedhje të lira, Shqipëria nuk do të ketë kurrë paqe dhe stabilitet. Në një konferencë me gazetarët, Berisha është shprehur se fronti opozitar udhëhiqet nga organet drejtuese të PD-së.

Pyetje: Tashmë është e qartë se ju keni hapur 2 fronte aksioni në parlament, por edhe me protestën që do të zhvilloni në 7 Tetor, por çfarë do të ndodhë në 8 Tetor, 9 Tetor dhe në vazhdim? A do të jenë protesta të përditshme apo të përjavshme?

Sali Berisha: Nuk janë 2 fronte, është 1 front dhe ky front udhëhiqet nga organet drejtuese të PD-së dhe nga grupi parlamentar i saj, kryesia e me radhë. Ajo që keni parë dje në parlament është pjesë e qëndrimeve të PD-së. E vërteta është se kurrë jashtë zgjedhjeve të lira, Shqipëria, paqe dhe stabilitet nuk do të ketë. Zgjedhjet e lira janë kushti i të gjitha kushteve për paqen, stabilitetin, kushtetutën dhe ligjin. Si mund të flasësh kur këtu kushtetuta është shndërruar në një letër pa vlerë që Edi Rama e përdor si leckë për këpucën e tij? Kur drejtësia është shndërruar në një zyrë të Partisë Socialiste?

Berisha është shprehur me bindje të plotë se opozita ka zbritur në shesh deri në përmbushjen e misionit të saj dhe nuk do të tërhiqet.

Sali Berisha: Të gjitha këto janë akte të një regjimi kriminal, i lidhur kokë e këmbë me krimin dhe drogën, me të cilin kërkon të shuajë zërat e opozitës. Ju garantoj se opozita ka zbritur në shesh dhe gjer në përmbushjen e misionit të saj, e vendosur për çdo sakrificë, e vendosur për qëndresën më të fuqishme, ajo nuk tërhiqet.


/tvklan.al