Niset drejt Afganistanit kontingjenti i parë shtesë prej 110 trupash që do ti bashkohet kompanisë ushtarake shqiptare në Herat nën komandën e kontingjentit italian.
Dërgimi i këtij kontingjenti vjen menjëherë pas vendimit të qeverisë për të mbështetur trupat paqeruajtëse të aleancës, në prag të zgjedhjeve të 20 Gushtit në Afganistan.
Gjatë ceremonisë në regjimentin komando në Zall-Herr, kryeministri Sali Berisha, u kërkoi komandove të kontribuojnë ne realizmin e zgjedhjeve të qeta.
Sali Berisha: “Kombi afgan është i vendosur të votoj në liri, talebanet në ekstremizmin dhe fanatizmin e tyre, kërkojnë ta pengojnë këtë komb vigan të bëjë hapat që duhet në rrugën e demokracisë. Ju shkoni atje për të dhënë kontributin tuaj si paqeruajtës në një proces zgjedhor paqësor dhe të qetë, shkoni atje që afganet të mos flasin me arme por të flasin me votë për të ardhmen e tyre”.
Po ashtu kryeministri u shpreh se kontigjenti shqiptar që do të mbërrij në Herat, është edhe në kuadër të përmbushjes së detyrimeve si pjesë e NATO-s. Po në këtë kuadër qeveria shqiptare pritet të akordoj një fond për ngritjen e 8 shkollave në Afganistan.
Sali Berisha: “Në Strasburg ne u zotuam të mbështesim strategjinë e re të presidentit Obama dhe në këtë kontekst sot nisi ju atje. Në këtë kontekst së shpejti do të nis dhe një grup mjekësor prej 20 punonjësish mjekë dhe infermier. Po në këtë kontekst në buxhetin e këtij viti do të parashikojmë ndërtimin e 8 shkollave të reja në këtë vend mik. Siç na ndihmuan ne me miliarda euro kombet dhe vendet mike, edhe ne do të dëshirojmë të ndihmojnë ata të cilët përpiqen të ndërtojnë demokracinë paqen dhe stabilitetin”.
I pranishëm në përcjellën e kontingjentit shqiptar në Afganistan ishte edhe ambasadori italian, i cili u shpreh se ky mision tregon besimin që ka komuniteti ndërkombëtar ndaj forcave të armatosura shqiptare.
Saba D’elia: “Detyra qe u është caktuar tregon besimin që ka komuniteti ndërkombëtar tek shkalla e eficencës dhe operacionalitetit të forcave të armatosura të këtij vendi. Mbani gjithmonë parasysh se puna juaj së bashku me ushtarët italian do të ketë rëndësi jetike për suksesin e misionit ISAF dhe për vendin tuaj pasi secili prej jush në çastin që do të arrini në vendin e operacionit do të përfaqësoj tërë Shqipërinë”.
Komandot janë përshëndetur në rrugëtimin për misionin paqeruajtës edhe nga ministri i mbrojtjes Gazmend Oketa, i cili shprehu bindjen në suksesin e këtij operacioni, ndërsa u premtoi atyre dhe familjarëve mbështetjen maksimale.
Gazmend Oketa: “Si ministër mbrojtje, dëshiroj t’ju siguroj se do të keni mbështetjen e institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë gjithë periudhës së kryerjes së detyrës suaj në Afganistan. Dhe duke falënderuar familjarët tuaj për mbështetjen që u japin ju, dëshiroj t’ju siguroj se dhe atyre nuk do ti mungojë mbështetja nga ana jonë”.
Edhe kreu i qeverisë shqiptare siguroi komandot se familjet e tyre do të kenë mbështetja e qeverisë./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami