Teksa procesi i votimit në Himarë për të zgjedhur kryebashkiakun e ri vijon, ish-kryeministri Sali Berisha me anë të një postimi në Facebook ka apeluar përjashtimin e qindra qytetarëve, duke e cilësuar këtë si një akt antikushtetues.

Më tej Berisha është shprehur se shumë qytetarë kryesisht mbështetës të opozitës nuk janë lejuar të votojnë për shkak të datës në kartat e tyre të identitetit.

Sipas ish-kryeministrit ky standard për sa i përket skadimit të ID, nuk është zbatuar në zgjedhjet elektorale të 14 Majit. Ai pretendon se kjo është një përpjekje për të manipualuar rezultatet e zgjedhjeve.


Reagimi i plotë:

“Përjashtimi nga votimi i qindra e qindra qytetarëve të Himarës, një akt antikushtetues

Të dashur miq, me urdhër te Edi Ramës sot nuk u lejuan të votojnë për shkak të datës së kartave të identitetit, qindra qytatarë të identifikuar kryesisht mbështetës të opozitës. Ky është një akt i pa precedent, një krim shtetëror elektoral, dhunim i Kushtetutës që ka si qëllim të vetëm manipulimin e rezultatit zgjedhor nga Edvin Gjipea. Sqaroj këtu qytetarët se ky standart nuk u zbatua në zgjedhjet e 14 Majit dhe në ligjet e vendit edhe pas lëshimit të kartave biometrike në mungesë të saj, janë pranuar edhe letërnjoftimet e vjetra që vërtetonin plotësisht identitetin e personit.

Përjashtimi i qindra zgjedhësve nga e drejta e votimit, ndryshimi i qëllimshëm dhe i programuar i qendrave të votimit të qindra qytetarëve, shtimi në listat e votimit të qindra qytetarëve nga Dropulli, Saranda apo pasunarve të vilave turistike të bregut janë veprime mafioze antiligjore që akuzojnë rëndë direkt Edi Ramën dhe Vangjel Tavon për krim të shëmtuar elektoral. Partia Dmokratike dënon me forcën më të madhe këto akte të rënda antikushtetuese të Edi Gjipes dhe kukullës së tij Vangjel Tavo dhe i garanton se drejtësia vonon, por nuk harron.”

/tvklan.al