Fitorja e Trump dhe fushata që ai ndoqi ishin në qendër të konferencës së shtypit të kryetarit demokrat Sali Berisha. Ai theksoi se para drejtuesve të qarqeve se faktori ekonomik riktheu Trump në Shtëpinë e Bardhë, prandaj kjo çështje do jetë themelore në axhendën e Partisë Demokratike.
Sali Berisha, kryetar i PD: Ishte një arsye tjetër madhore që bëri që amerikanët të rikthenin presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ky ishte faktori ekonomik. Ju jeni dëshmitarë se prej disa kohësh ne kemi parashtruar programin tonë ekonomik të emergjencës, program i cili synon të rikthejë individin, problemet, të gjitha çështjet e tij jetësore në qendër të veprimtarisë qeveritare drejtuese. Ndaj dhe ajo që unë kërkoj sot nga ju në të gjithë axhendën tuaj, çështja kryesore do të jetë çështja ekonomike.
Sali Berisha sulmoi edhe disa media, për të cilat tha se komandohen nga kryeministri Rama.
Sali Berisha, kryetar i PD: Në kushtet kur 4 televizionet kombëtare janë klonuara si RTSH apo ERTV nga zyra e Edi Ramës, këto televizione janë shndërruar në abuzuesit më të mëdhenj të hapësirës mediatike shqiptare. Këto televizione janë në diktatin e zyrave të Edi Ramës dhe kanë arritur gjer aty sa 90 përqind të kohës ia kushtojnë Edi Ramës dhe narkozyrtarëve të tij.
Berisha e krahasoi veten me Donald Trump, i cili sipas tij i kishte të gjithë kundër edhe mediat. Ai u kërkoi drejtuesve politikë në qarqe që të zhvillojnë takimet me njerëzit si e vetmja rrugë komunikimi.
Sali Berisha, kryetar i PD: Në qoftë se ka një mësim kryesor që ne mund të nxjerrim nga fitorja e presidentit Donald Trump është takimi me njerëzit si rruga më efiçente, më e suksesshme, më e sigurt e komunikimit dhe neutralizimit të agresionit mediatik qeveritar, mashtrimeve që përhapen çdo orë nga mediat e klonuara në zyrat e Edi Ramës.
Berisha u kërkoi drejtuesve të qarqeve mobilizim për votën e emigrantëve, të cilën e quajti Leva e Arkimedit në një sukses të ri si ai i vitit 1992.
Kryetari i PD-së theksoi se është i gatshëm të votohet çdo lloj ndërhyrje e nevojshme për ta bërë procesin e votimit të shqiptarëve jashtë vendit sa më pa pengesa, të mundshëm, transparent e të pamanipulueshëm.
Klan News