Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Besnik Mustafaj:- “Komenti ka dy aspekte. Së pari unë sinqerisht ndiej për detyrë ta falenderojë Trojkën Europiane, Greqinë që kryeson BE, ata që e lanë, pra Danimarkën që e la dhe Italinë që do ta marrë është një shprehje e vëmendjes së madhe që ka Komisioni Europian, që ka në përgjithësi Bashkimi Europian ndaj Shqipërisë në këtë moment kaq të rëndësishëm të historisë tonë dhe nga ana tjetër është dëshpërues fakti, që vjen përsëri, një vizitë e këtij niveli, detyrohet të theksojë gjëra që i ka thënë edhe para një viti e gjysmë edhe para një viti edhe para 6 muajsh. Kjo do të thotë, që ky lloj staniacioni, kjo ikje prapa, sepse koha ecën përpara, në qoftë se rri në vend, siç po rri qeveria, mazhoranca, në plotësimin e standardeve, pa të cilat nuk ka integrim në Europë, atëherë dashje pa dashje ikja është prapa, sepse distanca midis asaj çka duhet arritur dhe vendit ku jemi ne zmadhohet”.

Sokol Balla:- Trojka Europiane vuri theksin sidomos në ecurinë e reformave në Shqipëri, të dërguarit e Brukselit e shprehën thuajse hapur, që ka ende shumë punë për të bërë dhe shumë vend për të përmirësuar punën, kjo në një farë mënyre koencidon edhe me qëndrimin e PD. Sali Berisha në ditët e para të Janarit deklaroi, dështimin e marrëveshjes pikërisht për vonimin e këtyre reformave.

Besnik Mustafaj:- “Shiko, për ne është inkurajues fakti që kemi thënë të vërtetën, që kemi arritur të identifikojmë të keqen, që rëndon mbi Shqipërinë në këtë periudhë, por njëkohësisht është dëshpërues si shqiptarë, sepse ne si forcë politike kemi qenë absolutisht në avangardë të theksimit të nevojës që ka Shqipëri për t’u integruar në BE. Kemi qenë vërtet zëdhënës të kësaj aspirate të shqiptarëve, duke qenë në opozitë, çka nuk është e zakonshme të marrësh role dhe përgjegjësi që i takojnë mazhorancës, por duke pasur parasysh, atë çka mbart PD, në historinë e saj dhe në aspiratën e saj, ne e kemi bërë me vetëdije të plotë, këtë veprim politik. Por ajo çka ne na mërzit është se ne i kemi thënë dhe nuk jemi dëgjuar, pra ka një shurdhëri dëshpëruese nga ana e mazhorancës. Le të marrim zgjedhjet në zonën 52 në Elbasan, që ishte një test jo për rezultatin, sepse nuk do të ndryshonte gjë, por ishin një test se si do të bëheshin zgjedhjet e ardhshme dhe serbesllëku me të cilin këta shkelën ligjin përpara shqiptarëve, përpara komunitetit ndërkombëtar dhe para nesh, sepse jemi partner në politikë nuk jemi armiq, atëherë kjo është jashtëzakonisht dëshpëruese, sepse nuk premton se do të bëhen këto reforma. Reforma elektorale është reforma thelbësore.

Sokol Balla:- Megjithatë PD vazhdon të bëjë pjesë në një komision të vdekur, siç është komisioni bipartizan. Zoti Berisha megjithëse kritikon vazhdon të mbështesë, atë që ju thatë në parim faktin, që Shqipëria duhet t’i afrohet sa më shpejt këtyre negociatave. A shihni një farë përgjegjësie edhe në këtë vonesë reformash falë një marrëveshje e cila nuk funksionoi asnjëherë?

Besnik Mustafaj:- “Shiko, komisioni dypalësh është një angazhim përpara BE, përpara OSBE-së dhe normalisht angazhim përpara shqiptarëve dhe ne defekti dhe vlera e Berishës, apo e ne që punojmë në PD është se ende besojmë se e mira mund të fitojë. Por ka fakte vërtetë dëshpëruese lidhur me këtë komision, që nga zvarritjet e deri tani, dmth. është një draft i hartuar me ndihmën e ekspertëve të OSBE-së dhe kërkon mazhoranca e komisionit është një ligj për rolin e policisë në zgjedhje dhe këta kërkojë, të mos dënohen policë që do të dhunojnë kutinë e votimit”./tvklan.al