Në një fjalim drejtuar kombit për herë të parë që kur u tërhoq nga gara presidenciale, presidenti amerikan Joe Biden u shpreh se tanimë është koha për t’ia kaluar stafetën një brezi të ri.
Joe Biden, President i SHBA-ve: E nderoj këtë zyrë, por e dua më shumë vendin tim. Ka qenë nderi i jetës sime të shërbej si presidenti juaj. Por mbrojtja e demokracisë është më e rëndësishme se çdo titull. Marr forcë dhe gjej gëzim duke punuar për popullin amerikan. Por kjo detyrë e shenjtë për të përsosur bashkimin tonë nuk ka të bëjë me mua. Bëhet fjalë për ju.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë hodhi poshtë trysninë disa javore të demokratëve për t’u tërhequr nga gara për Shtëpinë e Bardhë pas debatit katastrofik të 27 Qershorit.
Joe Biden, President i SHBA-ve: Në javët e fundit, është bërë e qartë për mua se duhet të bashkoj partinë time. Asgjë nuk mund të pengojë shpëtimin e demokracisë sonë. Kjo përfshin ambicien personale. Pra, kam vendosur se mënyra më e mirë përpara është t’ia kaloj stafetën një brezi të ri.
Presidenti Biden e mori vendimin disa ditë pasi shqyrtoi parashikimet e sondazheve se ai mund të humbiste përballë republikanit Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit dhe të dëmtonte edhe shanset e fitores së zgjedhjeve të ligjvënësve demokratë.
Biden tha se do të fokusohet në punën e tij si president gjatë gjashtë muajve të tij të mbetur në detyrë. Ai u zotua të ndihmojë për ta bërë NATO-n më të fortë dhe më të bashkuar, të ndalojë presidentin rus Vladimir Putin të marrë kontrollin e Ukrainës, të punojë drejt një marrëveshjeje armëpushimi në Gaza dhe të shtyjë për reformën e Gjykatës së Lartë.
Joe Biden, President i SHBA-ve: Unë do të bëj thirrje për reformë në Gjykatën e Lartë, sepse kjo është kritike për demokracinë tonë. Ne do të vazhdojmë të mbledhim një koalicion të kombeve për të ndaluar Putinin të marrë kontrollin e Ukrainës. Ne do ta mbajmë NATO-n më të fortë. Gjithashtu do të vazhdoj të punoj për t’i dhënë fund luftës në Gaza, për të sjellë në shtëpi të gjithë pengjet, për të sjellë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe për t’i dhënë fund kësaj lufte.
Mes të tjerash ai u shpreh se populli amerikan do të zgjedhë rrugën e së ardhmes ndërsa falenderoi zv/presidenten Kamala Harris si një bashkëpunëtore të jashtëzakonshme dhe që mund të drejtojë në të ardhmen SHBA-në.
Megjithatë, që kur ai mori vendimin për t’u tërhequr nga gara demokratët kanë shprehur mbështetjen për të, duke vlerësuar karakterin dhe punën e tij si president. Kjo është hera e katërt që Presidenti Biden i drejtohet vendit nga Zyra Ovale që nga marrja e detyrës në janar të vitit 2021.
Kandidati i Partisë Republikane për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump e kritikoi fjalimin e Presidentit Biden. Ai u shpreh në rrjetin ‘TruthSocial’ se fjalimi i “Mashtruesit Joe Biden në Zyrën Ovale mezi kuptohej dhe ishte shumë i dobët!”
“Mashtruesi Joe Biden dhe gënjeshtarja Harris janë një turp i madh për Amerikën. Kurrë nuk kemi patur një periudhë si kjo”, u shpreh Trump.
Klan News