Presidenti Joe Biden do të presë të mërkurën Presidentin e zgjedhur Donald Trump në Zyrën Ovale.

Me herët Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Biden i telefonoi Presidentit të zgjedhur Trump të mërkurën e kaluar për ta uruar dhe për ta ftuar të takohej në Zyrën Ovale.

Një takim i tillë është i zakonshëm midis Presidentit që po largohet dhe Presidentit të ardhshëm dhe ka për qëllim pjesërisht të shënojë fillimin e një transferimi paqësor të pushtetit, në demokracinë amerikane. Për humbjen e Harris në këto zgjedhje presidenciale, zëra potentë brenda demokratëve po fajësojnë pikërisht Bajden.

Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi thotë se demokratët mund të kishin dalë më mirë në zgjedhjet e së martës nëse presidenti Joe Biden do të dilte më shpejt nga gara.

Demokratja që konsiderohet një nga politikanët më të fuqishëm në Uashington i tha New York Times se “nëse Presidenti do të hapte rrugë më shpejt, mund të kishte pasur kandidatë të tjerë në garë”.

Pelosi ishte nga zërat e parë që kërkoi largimin e Biden nga gara pas debatit zhgënjyes përballë Trump. Pelosi argumentoi se Harris do të kishte bërë mirë nëse do të kishte kaluar përmes një gare primaresh brenda partisë.

Pelosi u rizgjodh në mandatin e saj të 20-të si kongresmene e Kalifornisë në Dhomën e përfaqësuesve në zgjedhjet e së martës. Kritika për Biden kanë shprehur edhe disa përfaqësues të tjerë të demokratëve.

Tv Klan