Nga Shtëpia e Bardhë presidenti Joe Biden iu drejtua popullit për herë të parë që pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë  u shpreh gjatë fjalimit se ai foli me Presidentin e zgjedhur të mërkurën për ta përgëzuar për fitoren. Ai tha se e siguroi Trumpin se administrata e tij do të punonte me ekipin për të siguruar një tranzicion paqësor dhe të rregullt të pushtetit.

Presidenti Joe Biden: Do të bëj detyrën time si President. Unë do të përmbush betimin tim dhe do të respektoj Kushtetutën. Më 20 Janar, ne do të kemi një transferim paqësor të pushtetit këtu në Amerikë.

Biden tha se për disa njerëz është një kohë për fitore, për të tjerë është një kohë humbjeje.

Presidenti Joe Biden: Një vend zgjedh njërin ose tjetrin kandidat. Ne e pranojmë zgjedhjen që bën vendi. E kam thënë shumë herë nuk mund ta duash vendin tënd vetëm kur fiton. Nuk mund ta duash fqinjin tënd vetëm kur bie dakord.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë përmendi edhe arritjet e bëra gjatë mandatit të tij.

Presidenti Joe Biden: Ka qenë një presidencë historike. Ne po lëmë pas ekonominë më të fortë në botë. Unë e di se disa njerëz janë ende të lënduar. Por gjërat janë më të mira se sa i gjetëm. Tani kemi 74 ditë për të mbaruar mandatin tonë, le ta bëjmë çdo ditë të vlefshme.

Presidenti Biden e vlerësoi Kamala Harris për fushatën frymëzuese dhe theksoi se ajo duhet të jetë krenare për punën e bërë.

Klan News