I dërguari i posaçëm i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump për Ukrainën dhe Rusinë, planifikon të vizitojë Kievin muajin e ardhshëm dhe do të jetë i hapur për të mbajtur takime në Moskë nëse do te ftohet, raporton Bloomberg.

Keith Kellogg do të udhëtojë gjithashtu në Londër, Paris dhe Romë. Sipas Bloomberg mundësia e Kellogg për të udhëtuar në Moskë do të ishte një veprim i jashtëzakonshëm për një zyrtar amerikan në mes të një sërë sanksionesh të vendosura ndaj Rusisë duke filluar në Shkurt 2022.

Gjatë fushatës zgjedhore Donald Trump kishte premtuar më parë se mund të arrinte një zgjidhje për ti dhënë fund luftës madje edhe brenda një dite.

Për rusët lufta në Ukrainë është një çështje shumë komplekse dhe zgjidhja nuk mund të jetë kaq e thjeshtë.

Në një takim privat të zhvilluar këtë muaj midis Trump, presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe presidentit francez Emmanuel Macron, presidenti i zgjedhur i SHBA tha se dëshironte që ukrainasit të shkonin menjëherë në tryezën e bisedimeve. Por Zelenskiy deklaroi se Ukraina kishte nevojë për garanci si një element kyç i çdo marrëveshjeje paqeje.

Klan News