Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë normën bazë të interesit për lekun me 0,5 pikë përqindje duke e bërë kështu më të lirë koston e parasë në treg.
Për guvernatorin Fullani vendimi i këshillit mbikëqyrës përkthehet gjithashtu si një stimul i ri për zhvillimin ekonomik të vendit, pasi tenton të nxisë huamarrjen nëpërmjet uljes së kostos së financimit.
Ardian Fullani: “Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendos të ulë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit. Pas kësaj ulje kjo normë arrin nivelin 5.25 %. Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka arritur në përfundimin se 3 mujori i tretë i vitit 2009 është karakterizuar nga shenja pozitive në ekonominë shqiptare dhe në tregjet ndërkombëtare. Ky vendim përbën një stimul të ri për zhvillimin e ekonomisë në vend duke synuar një ulje të mëtejshme të kostos së financimit të ekonomisë.”
Guvernatori Fullani u ka kërkuar bankave tregtare që këtë masë ta reflektojnë menjëherë të plotë në interesat e kredidhënies, sidomos për sektorin privat.
Ardian Fullani: “Sistemi bankar shqiptar duhet të kuptojë drejt rolin e tij për të transmetuar të plotë dhe me shpejtësi këtë lehtësim të politikës monetare në ekonomi. Një presion më i ulët i sektorit fiskal do të krijojë më shumë hapësirë për kreditimin e sektorit privat të ekonomisë dhe do të favorizojë sheshimin e kurbës së normave të interesit në favor të uljes së mëtejshme të kostos së kredisë.”
Duke analizuar ecurinë e kredisë gjatë këtij viti, guvernatori i bankës qendrore ka veçuar rritjen e huasë në monedhën vendase, si një masë e drejtë e cila mbron kredimarrësin nga luhatshmëria e kursit të këmbimit.
Ardian Fullani: “Trendi rënë i kredisë i atribuohet ngadalësimit të kredidhënies në valutë. Ritmi i rritjes së tij në muajin gusht ishte zero. Ndërkohë kredia në lek vazhdon të ruaj ritmin mesatar të rritjes gjatë vitit 2009 rreth 30%. Si rrjedhojë pesha e kredisë në valutë në portofolin e sektorit privat ka zbritur në 67%.”
Duke konstatuar një rritje të normës së bonove të thesarit gjatë gjithë këtij viti, për shkak të kërkesës së qeverisë për hua, guvernatori është i mendimit për një disiplinë më të fortë fiskale. Megjithatë guvernatori Fullani ka vënë në dukje së Shqipëria vijon të regjistrojë rritje pozitive ekonomike, pavarësisht krizës botërore.
Ardian Fullani: “Perspektiva afatgjatë e zhvillimit të ekonomisë shqiptare është pozitive. Përballë zhvillimeve problematike në kontekstin botëror ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje ekonomike pozitive gjatë 6 muajve të parë të vitit 2009 dhe kjo është mjaft e rëndësishme në kushtet që ekonomia botërore kalon sot.”/tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro