Në prag të fillimit të sesionit parlamentar, mazhoranca ripërsërit thirrjen e saj drejtuar opozitës që t’i japë fund bojkotit dhe të bëhet pjesë e angazhimeve ligjore në Kuvend.

Deputeti demokrat Aldo Bumçi e cilëson aksion politik artificial vendimin e kryesocialistit Rama për të mbajtur jashtë dyerve të Kuvendit të zgjedhurit socialistë, si dhe shkon më tej duke thënë se ky vendim i selisë roze është një bojkot jo vetëm ndaj qytetareve, por dhe rezolutës së Parlamentit Europian.

 “Ky është një aksion politik artificial i opozites. Opozita duhet t’i japë fund këtij bojkoti dhe të vijë në Kuvend, pasi ky është një bojkot jo vetëm ndaj qytetarëve, por edhe një bojkot ndaj rezolutës së PE-së, që i kërkon opozitës që aksionin e saj politik ta zhvillojë në institucionin e Kuvendit”, thotë deputeti demokrat.

Bumçi komentoi për Televizionin Klan edhe deklaratat e opozitës në lidhje me pretendimet e saj për antikushtetueshmëri të disa prej ligjeve që kanë kaluar në Kuvend me votat e mazhorancës , si dhe qëndrimin e socialistëve për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese shtyrjen e moratoriumit të skafeve.

“E drejta e ankimimit është një garanci ligjore, por në të  vetvete kjo situatë është absurde. Pasi ata ishin në Kuvend dhe ikën. Po të kenë vërejtje t’i bëjnë ato në Kuvend, në rast se mendojnë se këto ligje kanë shkelje”, shtoi Bumçi.

Ndërkaq socialistët kanë depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese dhe marrëveshjen e shelfit kontinental, që përcakton kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë me argumentin se cënon sovranitetin territorial të Shqipërisë.

Tv Klan