Shtatë ndeshjet e mbrëmjes në Champions League, të vlefshme për raundin e tretë, prodhuan emocione të mëdha.
Real Madrid mori një fitore të madhe ndaj Borussia Dortmund, me rezultatin 5-2. Triumf me përmbysje nga madrilenët, pasi pjesën e parë e mbyllën në disavantazh 0-2. Në fraksionin e dytë, Vinicius shkëlqeu me tripletë golash, ndërsa Rudiger dhe Lucas Vasquez kompletuan fitoren 5-2.
Juventusi pësoi humbjen e parë sezonale, pasi u mposht mininalisht në shtëpi nga Stuttgart. Dominim absolut i gjermanëve, që golin e fitores e shënuan vetëm në minutat shtesë, pasi kishin humbur penallti më herët.
Në ndeshjet e tjera, Arsenali fitoi 1-0 ndaj Shakhtar Donetsk, Aston Villa bëri detyrën në shtëpi, duke fituar 2-0 ndaj Bologna-s. PSG u shtang në shtëpi, ku barazoi 1-1 me holandezët e PSV. Girona fitoi 2-0 ndaj Slovan Bratislava, ndërsa Sporting Lisbona mposhti me të njëjtin rezultat Sturm Graz-in. /tvklan.al