Përmes një reagimi zyrtar, kreu i SPAK Altin Dumani thotë se janë kryer të gjitha verifikimet e nevojshme lidhur me një shkresë që aludohej se kishte mbërritur në BKH. Kështu ka deklaruar më herët kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha. Sipas këtij të fundit, në atë letër kishte informacion për Olsi Ramën si dhe rrëmbimin e një biznesmeni.

Por sipas kreut të Prokurorisë së Posaçme “rezulton se në BKH nuk ka shkuar asnjë letër, kallëzim apo denoncim nga shtetasi i pretenduar si Zaho Koka.”


“Në përgjigje të interesit tuaj: Nisur nga deklarata e bërë në media, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Z. Altin Dumani i është drejtuar Drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) përmes një shkresë më dt.13.01.2025, për të bërë verifikimet e nevojshme, nëse është dërguar në BKH ndonjë shkresë nga shtetasi i përmendur si Zaho Koka, ku jepet informacion për shtetasin Ols Rama, si edhe rrëmbimin e një biznesmeni me inicialet V.B. Ai ka kërkuar gjithashtu të informohet nëse kanë përfunduar verifikimet e kryera dhe cila është procedura. Më datë, 14.01.2025, Drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit, përmes një shkresë sqaroi se: Nga verifikimet e kryera në Sekretari, Protokoll rezulton se në Byronë Kombëtare të Hetimit nuk ka ardhur letër, kallëzim apo denoncim nga shtetasi i pretenduar si Zaho Koka”, thuhet në reagimin e tij.

Në konferencën për mediat më 13 Janar, kryedemokrati Berisha u shpreh si më poshtë:

“BKH ka njoftuar se në datën 7 Dhjetor 2024 është protokolluar një letër e nënshkruar nga Zaho Koka, dërgues anonim. Letra ka informacion për Olsi Ramën, kishte një foto të qartë e tij në një qytet europian. Informacion edhe për rrëmbimin e një biznesmeni në Dhjetor të 2015-ës. Letra iu dha për verifikim OPGJ-së në datë 9 Dhjetor 2024. Më 11 Dhjetor, ky OPGJ që qenka djalë, u thirr nga drejtuesja famoze. Spiune e çmendur e Edi Ramës në BKH dhe iu komunikua ndërprerja e veprimeve të mëtejshme. Mos dil t’ua nxish të Dielën qytetarëve!”

/tvklan.al