Deti mes Kepit Horn të Amerikës së Jugut dhe ishujve Shetland të Antarktidës, është më i frikshmi në gjithë globin! I njohur ndryshe si “Kalimi Drake”, këtu deti ka valët më masive e stuhi të pandërprera, aq sa është thuajse e pamundur që anijet të lundrojnë normalisht.
Sipas ekspertëve, valët shkojnë në më shumë se 12 m lartësi dhe janë cilësuar si vdekjeprurëse. Numërohen një sërë incidentesh tragjike në këtë pjesë detare të planetit. Më i fundit në vitin 2022. Megjithatë, teksa Ngushtica e Magelanit apo Kanali Beagle kanë sfida të tjera siç janë erërat e paparashikueshme dhe rrymat e forta të baticës, ky “kalim” preferohet për horizontin e gjerë të tij.
Kjo pjesë e detit është “shtëpia” e një numri të lartë balenash, delfinësh apo pinguinësh. Emrin e ka marrë në shekullin 16, prej anglezit Sir Francis Drake që lundroi në këto ujëra gjatë ekspeditës së tij. Sidoqoftë, për shkak të historisë së Drake si tregtar skllevërish, disa preferojnë t’i referohen detit me emër tjetër. E quajnë edhe “Mar de Hoces“, sipas marinarit spanjoll Francisco de Hoces i cili lundroi aty 50 vite para Drake.
/tvklan.al