Nëse para pak ditësh Shqipëria renditej si një ndër vendet me rendiment të lartë në kultivimin e duhanit, prodhimi i kësaj kulture tani është reduktuar ndjeshëm. Fermerët e qarkut të Shkodrës, Elbasanit, Korçës dhe shumë zonave të tjera e kanë braktisur në masë mbjelljen e tij. Shkak për këtë është bërë mungesa e tregut të shitjes.
Këtu ndodhemi në fshatin Ballagat të Lushnjës. Fermerët që kanë këmbëngulur në kulturën e duhanit numërohen me gishta.
“E kemi shumë problem me tregun e shitjes, shumë problem e kemi, si çi do qefi grekut vjen e merr”.
“Vetëm një pikë është këtu që vjen e grumbullon dhe nga vjet e tutje ata i marrshin mbas 6 muajsh dhe e shiste sot merrje lekët”.
“E vështirë është shumë, po fukarallëku do vej gjer te duhani”.
Specialist të bujqësisë në rreth thonë se fenomeni ka qenë i pa parashikuar dhe ka ndikuar ndjeshëm në të ardhurat e fermerëve të zonës.
Isuf Çela: “Në zonën kodrinore është mbjellur afërsisht dhe 5 hektarë, tani mbillet në vitin 2007 është mbjell 5 hektar, në vitin 2006 është mbjell 22 hektarë, kjo ulje ka ardhur si rezultat i mos kontraktimit dhe i kontratave që janë bërë nga ndërmarrja e grumbullimit”.
Në Shkodër ish-fabrika e fermentimit të duhanit ka vite që nuk e kryen funksionin e saj të mëparshëm. Përpunimi i duhanit të famshëm të zonës kryhet në mënyrë artizanale dhe ajo pakicë që prodhohet destinohet për tregun vendas.
“Duhani shkojmë ja bëjmë punën e mundin, po skena ku e çojmë, magazina s’ka për me e rezervu me e mbledh, kshuqë detyrona me dal në rrugë me të”.
“Tash 18 vjet merrem me këtë profesionin, me i fjalë grijmë, shesim, blejmë. Ka konsum po edhe ramja ka konsumin”.
2 vjet më parë Ministria e Bujqësisë ndërmori një nisëm për stimulimin e prodhimit të duhanit duke e orientuar prodhuesit vendas të blenin fara cilësore, por iniciativa nuk i inkurajojë fermerët dhe bëri që bashkë me projektin e ministrisë të dështojë dhe përpjekja për të mbajtur në treg markën shqiptare të duhanit./tvklan.al