Breshëri blumbash janë gjuajtur në drejtim të një pike tregtimi aksesorësh për automjetet në Xhafzotaj të Shijakut. Shkak është bërë një konflikt për motive të dobëta mes Arbër H. dhe një prej vëllezërve që kanë njësinë tregtare.
Korrespondentja e Klan News, Enkeleda Arapi ka mësuar se Arbër H., sipas policisë ka qëlluar me një breshëri plumbash kundrejt njësisë tregtare, ku njëri prej plumbave ka goditur Enidor D., i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes rastësisht.
Enidor D. ka marë një plagë në këmbë, duke u dërguar drejt spitalit të Durrësit. Ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve pa rrezik për jetën. Ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar dhe po punon për arrestimin e tij.
Ende nuk dihet saktësisht motivi i konfliktit, por paraprakisht lidhet me një grindje e ndodhur për shkak të aktivitetit që zhvillonin vëllezërit Domi. Policia ka mësuar se një natë më parë, Arbër H. ka pasur një sherr fizik në Durrës me një nga dy vëllezërit Domi, pronarë të subjektit tregtar dhe para se të qëllonte ai kishte shkuar për t’u sqaruar.
Policia thotë se mes palëve ka pasur shkëmbim zjarri. Mes të shtënave me armë, Enidor D. mbeti i plagosur, pasi një plumb e kapi në këmbë. Plumbat e shkrepur në drejtim të biznesit, kanë kapur edhe xhamin e një autobusi që ndodhej i ndaluar, fatmirësisht pa njerëz brenda./tvklan.al