Një manovër e gabuar është bërë shkak për aksidentin tragjik të mbrëmjes së të mërkurës në aksin nacional Korçë-Bilisht, në të cilin humbi jetën një 24-vjeçare greke. Sipas grupit të hetimit, ka qenë drejtuesi i mjetit ku ndodhej dhe viktima që ka manovruar makinën pasi i doli një kafshë në rrugë.

Mjeti me targa greke mësohet se ka kaluar në korsinë tjetër të rrugës, ku dhe u përplas me makinën tip “Benz”. Nga hetimet dyshohet se të dy mjetet kanë qenë duke me shpejtësi tej normave të lejuara,çfarë solli përplasjen fatale, si pasojë e së cilës mbeti e vdekur në vend 24-vjeçarja. Kjo e fundit kishte ardhur në Korçë për pushime bashkë me të fejuarin e saj, i cili drejtonte mjetin që u përfshi në aksident. Ai ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shoferi i makinës tjetër është shoqëruar nga policia.

Gjatë dy ditëve të para të vitit, në rrugët e vendit u regjistruan edhe 2 aksidente të tjera. Mesditën e të enjtes, në aksin rrugor Fier-Levan, në një aksident u përfshinë 3 automjete. Një autobot mësohet të  ketë prerë rrugën dhe si pasojë edhe dy mjete janë përplasur me të, duke shkaktuar 3 të plagosur. Të dëmtuarit u dërguan në spitalin rajonal Fier, të cilëve iu dha ndihma mjekësore.

Një tjetër aksident ndodhi edhe në aksin Gjirokastër-Kakavijë. Një 34-vjeçar është arrestuar pasi në gjendje të dehur duke drejtuar mjetin e tij, është përplasur me automjetin e një punonjësi policie, i cili ndodhej jashtë shërbimit. Nga aksidenti u shkaktuan vetëm dëme materiale.

Klan News