Nga Gjermania, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu kundërpërgjigj akuzave të kryeministrit Edi Rama të lëshuara në adresë të opozitës. Lideri i demokratëve tha se Rama anatemon opozitën sepse është vetë përgjegjës për largimin e mijërave të rinjve shqiptarë.

“Para të rinjve, Edi Rama, nuk foli asgjë për punësimin e tyre, injoroi faktin se ky është sundimtari i vetëm që ka kryer një gjenocid ndaj të rinjve shqiptarë, duke larguar në 10 vite rreth 600 mijë prej tyre nga Shqipëria. Para këtyre që kanë mbetur nuk tha një fjalë për punësimin e tyre, për ëndrrat e tyre.”

Sipas Berishës, kryeministri faktoi para të rinjve se ai nuk ka alternativë tjetër veç sharjeve dhe se ndryshimin e vërtetë të vendit do ta sjellë Partia Demokratike.

“Partia Demokratike qëndron e vendosur të bëjë gjithçka sot në kohën e teknologjive të mëdha, që çdo i ri dhe e re të ndërtojë në Shqipëri ëndrrën e tij, të shkollohet në mënyrë cilësore, të punësohet me përparësi. Ndaj dhe, ftoj çdo të ri të ndjekë jo alternativën e një sharësi profesionist, që mbrohet me sharje, por alternativën e Partisë Demokratike që ofron me të vërtetë mundësi të mëdha për çdo të ri që të ndërtojë të ardhmen e tij në vendin e tij të bukur.”

Kryedemokrati Berisha ndodhet në Gjermani për të marrë pjesë në kongresin e CDU-së. Kjo është vizita e tij e parë jashtë shtetit, pasi gjykata i hoqi vendimin e arrestit në shtëpi.

Klan News