Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka shkëmbyer replika me deputeten e PD-së, Dhurata Çupin. Gjatë seancës plenare të ditës së sotme, Balluku ka thënë se shpreson që tuneli i Murrizit të jetë gati në Dhjetor të 2024-ës, ndërsa për atë të Llogarasë shton se do ta dorëzojnë pas 2 muajsh.

Belinda Balluku: Tunelin e Murrizit shpresojmë shumë ta dorëzojmë brenda 13 Dhjetorit të 2024-ës, por sigurisht ne kemi punë të tjera që flasin. Ndërkohë që vazhdojmë punojmë në Murrizin në mënyrë intensive pa harxhuar asnjë Lekë nga buxheti i shtetit, ne dorëzojmë vetëm për 2 muaj tunelin e Llogarsë. Jemi të njëjtët ne që dorëzojmë edhe tunelin e Llogarasë, edhe Murrizin. Kështu që si ka mundësi që tuneli i Llogarasë do të dorëzohet 6 muaj para afatit dhe tunelin e Murrizit e mbakemi pa shtuar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit? Kush është arsyeja e dashur deputete përveçse problemi gjeologjik që ka? Të gjithë jemi politikanë, por politikë bëni me narrativën politike, jo me kushte kontraktuale të lexueshme qartë.

Nga ana tjetër, deputetja demokrate Dhurata Çupi i është kthyer duke i thënë se qarku i Dibrës është më i varfri për shkak të politikave të qeverisë, teksa ka shtuar se sipas saj, dibranët janë larguar nga vendi. Kjo ka sjellë reagimin e menjëhershëm të ministres Balluku, e cila i ka thënë se dibranët nuk po ikin nga vendi, por po kthehen.

Dhurata Çupi: Qarku Dibër është më i varfri për shkak të politikave tuaja dhe për shkak se koncensioni që përmendët ka vajtur 360 milionë Euro. Dibranët e kanë boshatisur Dibrën, ndërkohë që qeveritarët futen në burg. Është ironike që bëjmë debate këtu.

Belinda Balluku: Nëse Dibra është e varfër, duhet ta vizitosh pak më shpesh sepse njerëzit po kthehen, nuk po ikin për t’i kthyer kullat dhe shtëpitë e tyre në njësitë e agroturizmit. Dil pak nga zona dhe shiko si po ndryshon. Nëse dibranët na e njohin punën apo jo duket nga votat që kemi marrë në 14 Maj të 2023-shit sepse dibranët dinë se si votojnë dhe shiko sa janë ato familje që po kthehen sepse janë ndërtuar gjithçka tjetër që juve që flisni për veriun, nuk i ndërtuat.

Pjesë e replikave mes palëve është bërë edhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili i ka kujtuar ministres Balluku arrestimet e zyrtarëve.

Gazment Bardhi: Mos fol këtu për zgjedhje. Dua t’i kujtoj ministres që krahun e majtë e ka sot në burg, Evis Berberin, atë që blinte vota derë më derë në qarkun e Dibrës. Krahun e djathtë tjetër, drejtorin e tatimeve e ka kandidat për të shoqëruar të parin në burg që gjithashtu blinte votat e dibranëve në zgjedhjet lokale. Lini këto diskutime pa vlerë se për zgjedhje e për vota kalojmë tek ato lekët që nga buxheti i shtetit shkonin tek Evis Berberi dhe nga Evis Berberi, tek qytetarët e varfër të Dibrës.

/tvklan.al