Publikimi i dosjeve që lidhen me vrasjen e John F.Kennedy nuk zbulojnë për atentatin më shumë se sa për ngjarje të tjera të ndodhura në atë kohë.

Që nga thashethemet që Bobby Kennedy (Robert F. Kennedy) kishte vrarë Marilyn Monroe tek një komplot i vërtetë i organizuar për të hequr qafe Fidel Castron nga mafiozët e Çikagos, më poshtë do të gjeni disa nga pikat kryesore të dokumenteve të publikuara nga FBI:

Dokumentet përfshijnë një skedar prej 400 faqesh, me emra njerëzish të cilët janë monitoruar si kërcënime të mundshme për John F. Kennedy.

Mes tyre përmendet një njeri “shumë i rrezikshëm” i trajnuar me taktikat guerile, një anëtar i  Ku Klux Klan, një trafikant që dikur kishte sulmuar Nat King Cole dhe një fëmijë nga Longview, Wash, që i kishte dërguar një letër presidentit ku i thoshte “ti do të përfundosh i vdekur”.

 “Letra e shkruar miqësisht ishte një shaka. Nuk është e rrezikshme. Djali është vetëm në klasë të pestë”

, shkroi një zyrtar pasi e kishte marrë djalin në pyetje.

Në një dokument thuhet se një vajzë e njohur e Hollyvudit, u kishte thënë agjentëve të FBI në vitin 1960 se ishte pyetur nga një agjent privat nëse ajo kishte marrë pjesë në “festat e seksit” me presidentin Kennedy, Frank Sinatrën Sammy Davis Jr dhe aktorin Peter Lawford.

Ajo i tha detektivit Fred Otash se ajo nuk kishte marrë pjesë dhe më vonë u tha agjentëve se revista Confidental po kërkonte të përbalte emrin e Kennedy dhe Lawford.

Dokumente të tjera zbulojnë se agjentët shkuan për një striptiste në New Orleans e quajtur Kitty e cila ishte gjoja mikeshë me Jack Ruby, vrasësin e Osvald.

Ata u vunë në kontakt me një tjetër striptiste të quajtur Candy Kane, por zbuluan se Kitty kishte bërë vetëvrasje disa muaj para vrasjeve.

FBI kishte marrë një indicie se kongresmeni i atëhershëm Abraham Multer i Bruklinit ishte pjesë e një skeme që po planifikonte të sillte diktatorin kuban Fulgencio Batista në Shtetet e Bashkuara.

Nga komploti u pa që Multer kishte ndarë një ryshfet prej 150,000 dollarësh me një avokat të Majemi Beach dhe dy përkrahës të diktatorit kuban Batista, sipas një raporti të vitit 1960.

Vetëm pak ditë pas vrasjes së JFK-së, drejtori i FBI-së, J. Edgar Hoover ishte i shqetësuar për shfaqjen e teorive të konspiracionit.

“Nuk ka asgjë më tepër rreth rastit të Osvald, përveç se ai është i vdekur,” tha Hoover në një shkresë më 24 nëntor 1963, pasi Lee Harvey Oswald u qëllua për vdekje nga Jack Ruby.

“Ajo çfarë më shqetëson mua, tha Hoover, është publikimi i një fakti që bind publikun se Osvald është vrasësi i vërtetë”.

Në një memorandum të publikuar të nesërmen, Katzenbach është dakord me faktin që “publiku duhet të jetë i bindur se Osëald ishte vrasësi”.

Një anëtar i Ku Klux Klan i tha FBI në vitin 1963 se Presidenti Lyndon B. Johnson kishte qenë anëtar në Teksas gjatë karrierës së tij të hershme politike, sipas një raporti të FBI të vitit 1964. 

Burimi kishte thënë se kishte “prova të dokumentuara”, por asnjë dëshmi nuk ishte përfshirë në raport.

CIA kishte caktuar një shpërblim për këdo që vriste Fidel Kastron, prej 2 centësh, thuhet në një dokument.

Raporti detajon një plan për të lëshuar fletëpalosje në Kubë duke ofruar shpërblime për “vrasjen ose kapjen të gjallë të komunistëve  të njohur”. Për zyrtarë të tjerë të Kubës shifra e shpërblimit për vrasësin shkonte deri në një milion dollarë por për Fidel Castron vetëm 2 cent.  

Agjencia ishte e gatshme të paguante shumë më tepër për shefin e krimeve të Çikagos, Sam Giancana, që ai të shfaroste Castron, duke i ofruar atij $ 150,000 në vitin 1960, sipas një dokumenti të vitit 1975.

Në këmbim Giancana donte që CIA të përgjonte dhomën e një artisti në Vegas pasi ai mendonte që ai ishte personi me të cilin e dashura e tij e tradhëtonte.

Më pas, Prokurori i Përgjithshëm Robert F. Kennedy paralajmëroi se punësimi i mafias si vrasës do ta bënte të vështirë të ndiqnim penalisht njerëz të tillë në të ardhmen, thuhet në raport.

Burimi: New York Post

Shqipëroi: tvklan.al