Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump dhe ajo e Meksikës Claudia Sheinbaum kanë zhvilluar bisedime në lidhje me migracionin e paligjshëm.
Trump tha se Sheinbaum ka rënë dakord të ndalë migracionin përmes Meksikës, por Presidentja, përmes rrjeteve sociale deklaroi se Meksika po bën pjesën e vet dhe nuk ka asnjë interes që të mbyllë kufijtë.
“Ajo ka rënë dakord të ndalojë migrimin përmes Meksikës dhe në Shtetet e Bashkuara, duke mbyllur në mënyrë efektive kufirin tonë jugor. Ne folëm gjithashtu për atë që mund të bëhet për të ndaluar hyrjen masive të drogës në Shtetet e Bashkuara”, tha Trump.
Sheinbaum, nga ana e saj, tha se të dy kishin diskutuar strategjinë e migracionit të paligjshëm, por nuk iu referua mbylljes së kufirit.
“Ne ritheksuam se qëndrimi i Meksikës nuk është që të mbyllen kufijtë, por të ndërtohen ura mes qeverive dhe mes popujve”, tha Sheinbaum.
Migrimi i paligjshëm përgjatë kufirit me Meksikën ka rënë pjesërisht për shkak se administrata e Presidentit amerikan, Joe Biden, ka bashkëpunuar me Meksikën për forcimin e sigurisë.
Numri i emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë kanë rënë për 40 përqind, nga niveli rekord që u shënua Dhjetorin e kaluar.
Dy udhëheqësit biseduan disa ditë pasi Trump kërcënoi se do të vendoste tarifa të reja ndaj Kanadasë dhe Meksikës si pjesë e përpjekjeve të tij për të frenuar emigracionin ilegal dhe trafikimin e drograve.
Por nga ana tjetër ministri i Ekonomisë i Meksikës Marcelo Ebrard ka bërë të ditur se tarifat që Trump synon të vendosë me marrjen e detyrës në Janar do të çojnë në humbjen e 400,000 vendeve të punës në SHBA.
Presidentja meksikane edhe më herët ka bërë të ditur se përgjigjia do të ishte e shpejtë nëse Trump do të zbatonte planet.
Ebrard u shpreh gjithashtu se tarifat e propozuara nga Trump shkelin marrëveshjen tregtare midis Meksikës, Kanadasë dhe SHBA-së dhe paralajmëroi se do të godasin kompanitë amerikane që prodhojnë në Meksikë duke dyfishuar në mënyrë efektive taksat.
Klan News