Siç kishte premtuar, Donald Trump bën pjesë të administratës së tij të re Elon Maskun. Për një prej njerëzve më të pasur të botës hapet një departament i ri, që do të njihet si “Departamenti për Eficencën e Qeverisë”.

Inicialet e këtij departamenti, në anglisht formojnë rastësisht ose jo, emrin DOGE, siç quhet edhe monedha virtuale e krijuar nga Musk.

Në një deklaratë për shtyp të presidentit të zgjedhur, departamenti që do të bashkëdrejtohet me miliarderin tjetër amerikan Vivek Ramasuomi, konsiderohet si “Projekti Manhatan” i kohës sonë, referuar programit të qeverisë amerikane që zhvilloi bombën bërthamore gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Se pse e krahason departamentin e ri me rol këshillues, me një projekt që ndryshoi fatet e globit, kjo është ende e paqartë.

Trump sqaron se ky departament do të çmontojë burokracinë qeveritare, do të heqë qafe shpenzimet e tepërta dhe mashtrimet në buxhetin vjetor 6.5 trilionësh të Shteteve të Bashkuara dhe do të ofrojë këshilla nga jashtë qeverisë. Afati i përmbushjes së objektivave deri në 4 Korrik 2026.

Analistët paralajmërojnë megjithatë se departamenti i ri mund të shkaktojë mbyllje masive të vendeve të punës.

Mes emërimeve të tjera të shpallura këtë të mërkurë është ai i sekretarit të Mbrojtjes Pit Hegseth, gazetar dhe prezantues i medias pro-konservatore Fox News dhe i Kristi Noem, si sekretare për Sigurinë e Brendshme.

Tv Klan