Europarlamentarja, Doris Pack, në një intervistë për BBC ka kritikuar politikanët shqiptarë. Ata gjatë gjithë kohës janë të zënë me betejat politike mes tyre, në betejat brendapërbrenda partisë. Deri në muajin dhjetor ata bënë një luftë të madhe në partinë e shumicës, atë socialiste dhe unë mendoj se ata po humbasin kohë duke luftuar njëri-tjetrin në vend që të punojnë realisht për nevojat e popullit, është shprehur deputetja gjermane. Ata duhet të ndryshojnë qëndrimin ndaj krimit të organizuar, korrupsionit në insitucione, trafikimit de emigrimit ilegal.
Duke iu referuar tragjedisë së Karaburunit, kryetarja e delegacionit për Europën juglindore thotë se një pjesë e madhe e emigracionit ilegal ende vazdon dhe se, brenda strukturave të Shqipërisë ka ende shumë korrupsion. Sipas Pack, shumë nga politikanët nuk janë vërtet të pastër dhe kjo është ajo që është më e dukshme. Kryeministri aktual akuzoi shumë ish-ministra se ishin të korruptuar dhe dy prej tyre, që ai i cilësoi si të korruptuar para disa muajsh, i emëroi më pas ministra dhe njerëzit nuk e besojnë qeverinë, nuk i besojnë politikanët. Lidhur me përpjekjet që po bën Bashkimi Europian, Pack-u u shpreh se po punohet për negociatat e Stabilizim Asocimit dhe se komisionerët europianë po punojnë për disa ligje të veçanta, por ajo që mungon është zbatimi i saj çfarë nënshkruajmë dhe sistemi i drejtësisë nuk funksionon.
Në Shqipëri vazhdojnë ende problemet me të drejtat e pronësisë së tokës dhe me situatën e energjisë. Pas deklaratës së europarlamentares, Doris Pack për BBC, ministri i shtetit, Marko Bello ka reaguar, sipas tij, në fjalën e zonjës Pack, ka diçka të vërtetë, sepse ne nuk pretendojmë se kemi një demokraci të konsoliduar, është shprehur Marko Bello. Në Shqipëri, çdo luftë politike, ndonjëherë kur teprohet mund të shkaktojë dhe paralizmin e administratës. Në rastin konkret problemet në gjirin e mazhorancës ndikuan edhe në ngadalësimin e ritmit të reformave, por sipas ministrit të shtetit, janë të gjitha shaset për të kapur ritmin e reformave në ato parametra që do të na bëjnë të mundur pastaj të përfundojmë dhe negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit./tvklan.al