Divorci është një dramë jo vetëm familjare, por që mbart edhe sfida për palët që vendosin të shkëpusin lidhjen dhe martesën e tyre. Numri i tyre është rritur, por mbetet ende problematike marrëdhënia dhe bashkëpunimi i ish-çiftit për të ndarë përgjegjësitë dhe të drejtat kur përfshihen fëmijët.

Elsa Duka ka pikërisht këtë  ngërç me ish-bashkëshortin e saj. 33-vjeçarja që ndan historinë në “Rudina” në Tv Klan është nënë e 4 fëmijëve të moshave 12, 9, 8 dhe 6 vjeç. Elsa është ndarë 4 vite më parë dhe gjykata përcaktoi që dy fëmijë të qëndronin me të e dy me ish-burrin. Nga momenti i shkëputjes së martesës, ajo nuk i ka takuar më fëmijët që qëndrojnë me ish-burrin.

Elsa Duka: Unë jam nënë e 4 fëmijëve. Kam dy çuna e dy goca prej një martese prej 10-11 vitesh. Konfliktet nisin, moskuptimet, gjëra të tilla mes ne të dyve, arriti një pikë derisa thamë stop sepse nuk arrinim të gjenim një gjuhë të përbashkët mes njëri-tjetrit. Erdhi vendimi i gjykatës, unë kam qenë në shtëpi, kam marrë divorcin në shtëpi duke qenë me pleqtë. Ish burri u largua nga shtëpia…

Rudina Magjistari: Kur thua e ke  fjalën për prindërit e bashkëshortit, is-bashkëshortit?

Elsa Duka: Po, vjehrrit. Dhe e kam marrë divorcin brenda në shtëpinë e tyre sepse ndoshta mund të ndryshonte mendje. Për hir të fëmijëve.

Rudina Magjistari: Pra vendimi i divorcit u mor, ju u ndatë dhe ti vazhdoje të jetoje me prindërit e ish-bashkëshortit.

Elsa Duka: Po. Deri në momentin që ai nuk u tërhoq dhe ishte vendimi i fundit që do të merrej për neve.

Rudina Magjistari: Gjatë procesit të divorcit e ke fjalën, ke jetuar aty.

Elsa Duka: Po. Fëmijët u ndanë me psikolog, dy unë e dy ai. Vajzën e madhe e kam unë dhe djalin e vogël. Fëmijën e parë dhe të fundit.

Rudina Magjistari: Kur thua u ndanë me psikolog, çfarë nënkupton?

Elsa Duka: U pyetën fëmijët se me kë do të rrinin dhe do të respektohej vendimi i fëmijëve. Vendimi i pskologut dhe gjykatës nuk është respektuar, pse do të thuash ti. Kam 4 vite e gjysmë që nuk takoj fëmijët që ka ai, nuk m’i sjell.

Kushtet e jetesës së Elsës janë mjaft të vështira. Ajo jeton me dy fëmijët në një shtëpi me qira,  punon në një fabrikë këpucësh me pagë minimale dhe nuk arrin të takohet me djalin e vajzën që qëndrojnë me ish-burrin. Kërkesa e saj e vetme është një ndihmë./tvklan.al