Ky është reparti ushtarak në Poshnje të Beratit, ku shumica e të rekrutuarve janë ushtarë profesionistë.

88 prej tyre janë përzgjedhur mes dhjetëra aplikantëve që kanë kërkuar të bëhen pjesë e ushtrisë me pagesë.

Për ta të qenit pjesë e strukturave të NATO-s është një standard që ka ndikuar jo vetëm në përgatitjen e tyre ushtarake, por edhe të ardhurat financiare.

“Po bëj afro dy vjet që kam filluar, dy vjet e gjysmë që kam filluar punën. Merrem, dmth, vijmë në orën 8 të mëngjesit deri në orën 4 të pasdites. Jam me trupën, dmth, me këmbësorinë. Bëjmë stërvitje gjithë ditën edhe jemi pothuajse të kënaqur jemi dhe me rrogën, me kushtet që janë në repart”.

“Kriteret që duhen për një të ri të mobilizohet në forcat e armatosura si ushtarë profesionistë janë shkolla e mesme, dëshira dhe pasioni për të marrë pjesë në forcat e armatosura dhe asgjë tjetër.”

Tashmë që Shqipëria është anëtare me të drejta të plota e NATO-s, procesi i rekrutimit të ushtarëve me pagesë është drejt përfundimit. Sipas zv/Ministrit të Mbrojtjes, Petrit Karabina, tashmë ushtarët profesionistë përbëjnë pjesën dërrmuese të forcave të armatosura.

Petrit Karabina: “Ushtarët profesionistë pothuajse i kemi në masën 85% të ushtarëve. Na mbetet edhe një pjesë fare e vogël për t’u plotësuar”.

Interesi i të rinjve për t’u bërë ushtarë profesionistë, ka qenë i madh. Madje në Vlorë një numër të konsiderueshëm të tyre e përbëjnë femrat.

Musa Hotaj: “E veçanta është sepse kemi mjaft kërkesa nga vajzat e reja që kanë mbaruar universitetin e Vlorës dhe kërkojnë t’i paguajnë si ushtarë…dhe të cilat ne i kemi përcjell dhe ato janë aprovuar dhe miratuar si ushtarë profesionistë”.

Në Elbasan pjesa më e madhe e aplikantëve kanë qenë me arsim të mesëm, por nuk kanë munguar as të rinjtë me diplomë universitare.

Kriteret që duhet të përmbushë një ushtar profesionist janë mosha nga 19 deri 30 vjeç, arsimi i mesëm apo i lartë, shëndeti i plotë fizik dhe mendor, si dhe të mos ketë precedent penal në të shkuarën.

Paga mujore e një ushtari me pagesë do të jetë 32 mijë lekë dhe secili prej tyre do të gëzojë statusin e ushtarakut, gjithashtu kjo kategori ushtarësh do të përfitojë dhe lehtësi në shërbimet publike./tvklan.al