Forcat e Armatosura po bëjnë fushata sensibilizuese për të rekrutuar personel të ri. Dita e hapur, me qëllim sensibilizimin e komunitetit dhe sidomos të të rinjve, që të marrin në konsideratë rekrutimin në Forcat e Armatosura u organizua dhe në Thumanë, pjesë e bashkisë Fushë Krujë. Interesi i të rinjve dhe jo vetëm, për të mësuar se çfarë bëjnë forcat ushtarake ishte i lartë.
Togerja Enxhi Beshello pjesë e këtij aktiviteti në Thumanë tha se çdo i ri në moshë madhore ka mundësi që të aplikojë për ushtar ose detar aktiv.
Enxhi Beshello, togere: Jemi munduar që të shkojmë në çdo qytet për të informuar për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura. Aplikimet janë të hapura deri në datën 31 Dhjetor.
Ajo prej 6 vitesh i është bashkuar forcave ushtarake dhe u bëri apel edhe vajzave që të aplikojnë.
Enxhi Beshello, togere: Ju them të gjitha vajzave që janë në mëdyshje që ta zgjedhin si profesion. Është shumë I bukur, të jep shumë për të ardhmen. Unë jam shumë e lumtur, e kam pasur ëndërr. Jam fiks aty ku doja të isha!
Të gjithë të interesuarit që duan t’i bashkohen Forcave të Armatosura kanë afat për aplikim deri në 31 Dhjetor, aplikimi bëhet në portalin e-Albania. Benefitet e të qenit pjesë e ushtrisë janë të mëdha, ndërkohë që edhe trajtimi financiar i tyre është rritur.
Klan News