Lajme Arkiva 2003

Biznesmenët e kryeqytetit rrezikojnë të gjobiten nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për shkak të mos rilicensimit. Afati përfundimtar i pagesës së detyrimeve për tu pajisur me një licensë tregtare sipas ligjit ishte data 31 Mars, në të kundërt të të cilit agjentët tatimor janë të detyruar të ushtrojnë të drejtën e gjobës plus kamatat që përfshihen për çdo ditë vonesë.

Por pranë zyrave ku paguhen taksat vendore  në drejtorinë e taksave të Bashkisë së Tiranës, radha e subjekteve që kërkojnë të shlyejnë detyrimet është e gjatë.

Kjo për shkak të vonesës së miratimit të vendimi në këshillin bashkiak për vjeljen e taksave vendore. Sipas burimeve nga kjo drejtori megjithëse punohet me orare të zgjatu në sportele nuk mund të tërheqin vërtetim e pagesave më shumë se 250 subjekte në ditë.

Që nga dita kur hyri në fuqi vendimi qarkullues në Bashkinë e Tiranës janë regjistruar për tu rilicensuar rreth 320 subjekte tregtare. Sipas statistikave në të gjithë qytetin operojnë si biznes i vogël 12.600 subjekte, pjesa më e madhe e të cilave për shkak të vonesave rrezikojnë gjoba për mosrinovim të licensës.

Sipas bashkisë regjistrimet për taksat vendore pritet të zgjasin deri në fund të muajit prill, ndërsa për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ka hyrë në fuqi ndëshkimi për të palicensuarit./tvklan.al