Mëngjesin e kësaj të hëne në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan ishte i ftuar Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ai foli rreth eventit që do të transmetohet live sot në orën 20:00 në Tv Klan.

Për publikun ai ndau detaje se çfarë pritet të ndodhë në eventin “Topi i Artë 2024”. Nga ana tjetër ai u ndal në një pikë tjetër mjaft të rëndësishme. Duka tha se qëllimi kryesor i FSHF-së është që të rrisë numrin e fëmijëve në futboll. Në një kohë kur shumë të rinj po marrin rrugët e emigrimit, Presidenti i FSHF-së tha se është rritur ndjeshëm numri i fëmijëve që angazhohen në futboll.

“Objektivi jonë kryesor është që të kemi sa më shumë fëmijë në futboll. Në këtë situatë ku Shqipëria është e prekur nga eksodi, ku shumë shqiptarë lënë vendin, ne përkundrazi kemi shtuar numrin e futbollistëve. Gjatë vitit 2024 kemi regjistruar 2820 të rinj më shumë, padyshim kjo për shkak të pasionit dhe dëshirës së tyre, por edhe kushteve që ka krijuar Federata. Një fëmijë që luan futboll në Shqipëri si në asnjë vend tjetër ka gjithçka flas, i mjafton vetëm pasioni e dëshira. Pa dyshim është dhe përgatitja e trajnerëve. Ne jemi prej 20 vitesh federatë që licencojmë trajnerë në nivele evropiane. Licenca jonë është e njehsuar me Europën dhe përgatitja e këtyre trajnerëve, përmirësimi i tyre padyshim që i bën fëmijët që të besojnë më tepër në këtë sport”, tha Duka.

Armand Duka tha se “Topi i Artë 2024” do të jetë një rezyme e gjithë aktiviteteve të zhvilluara në futbollin shqiptar. Ai gjithashtu përmendi shifra dhe aktivitetet që shumë pak prej nesh i dinin. Duka shtoi se nga Federata e Futbollit, në Shqipëri janë zhvilluar rreth 15 mijë ndeshje dhe 13 turne ndërkombëtare.

“Gjithë përmbledhja e aktiviteteve që ne kemi bërë në vitin 2024 në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Pavarësisht se ata që janë më pak të interesuar për futbollin shikojnë vetëm ekipin kombëtar të djemve, por këtu ne kemi shumë ekipe kombëtare djemsh dhe vajzash duke filluar nga 17, 19 e deri 21 vjeç. Kemi shumë aktivitete. Në vitin 2024 në Shqipëri janë organizuar 13 turne ndërkombëtare. Ka vërtet shumë aktivitete. Mbase pak e dinë që në Shqipëri nga Federata e Futbollit organizohen rreth 15 mijë ndeshje futbolli në vit. 154 kampionate kombëtare dhe rajonale. Pra aktiviteti është shumë i madh”, shtoi Armand Duka./tvklan.al