Reshjet e rëna për më shumë se dy orë, kanë bërë që qyteti i Durrësit të zgjohet këtë mëngjes si Venecia.
Shiu ka përmbytur disa lagje e rrugë kryesore, duke shkaktuar kaos në qarkullimin e mjeteve dhe të kalimtarëve.
Zonat më problematike vazhdojnë të mbeten ajo e kryqëzimit pranë stacionit të trenit, e cila u përmbyt tërësisht, dhe Shkozeti.
E njëjta situatë është konstatuar edhe në zonën e Spitallës si dhe në atë të plazhit, të njohura si vende problematike sa herë që bie shi.
Niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke përmbytur dhe katet e para të banesave, ku për pasojë janë shkaktuar dëme materiale.
Bashkia e qytetit tha se hidrovori në Porto Romano ka funksionuar me kapacitet të plotë dhe sqaroi se në rastet e rrebesheve si ky i natës së kaluar, kanalizimet dhe hidrovori nuk e përballojnë dot situatën./tvklan.al