Fiorentina triumfoi me rezultatin 2-1 ndaj Lazios, në ndeshjen e vlefshme për javën e pestë në Serinë A.

Fitore me përmbysje për skuadrën nga Firence, që iu fal dy penalltive. Lazio kaloi në avantazh në minutën e 41-të me Gila, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Megjithatë, fraksioni i dytë, nisi me gol për vendasit. Gudmundsson, i futur nga stoli, ia doli të barazojë shifrat në minutën e 49-të, duke kthyer në gol një penallti.

Ishte sërish i njëjti lojtar që realizoi golin e përmbysjes, sërish me 11-metërsh në minutën e 90-të, për t’i dhënë fitoren vendasve.

Me këtë triumf, Fiorentina mban vendin e 10-të në renditje me 6 pikë, ndërsa Lazio renditet në vendin e shtatë me 7 pikë. /tvklan.al