Fëmijët, në pjesën më të madhe të rasteve janë shëmbëlltyrë e asaj që kanë mësuar dhe kultivuar nga prindërit e tyre. Megjithëse jo gjithmonë ajo që duan prindërit për fëmijët e tyre është ajo që duan në të vërtetë fëmijët.
Në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Andriola Kambo, ndan me publikun historinë e saj personale. Ajo tregon se si pa e kuptuar ishte duke e ngarkuar emocionalisht djalin e saj për të qenë më i miri në shkollë.
Andriola Kambo: Patëm një diskutim mbrëmë në familje. Deani im ishte i mërzitur, i thashë “pse”. Dhe gjëja që e kishte mërzitur më tepër ishte se në një detyrë në grup që kishin pasur, Deani im është që do të dominojë pak në grup, është fëmijë që lexon shumë dhe i pëlqen që të jetë ai që kryeson dhe ndërkohë shoqja e grupit donte dhe ajo të dominonte, atij i kishte bërë përshtypje kjo. Unë po i shpjegoja që pse ne duhet të jemi pak më të ftohtë dhe që nuk duhet ta kërkojmë këtë vëmendjen me insistim.
Katerina Trungu: Interesante është fakti që ka këtë dëshirën për të qenë i pari, ka qenë deri diku i ndikuar nga ana juaj si prindër?
Andriola Kambo: Në fakt kur Deani filloi klasën e parë, ne të edukuar pak edhe nga familja të themi të drejtën tani, por është edhe gjenetike modeli dhe kjo është e padiskutueshme, ne na kanë rritur me idenë që duhet të jesh e para në klasë apo duhet të mësosh dhe unë pa dashje i kam artikuluar Deanit në mënyrë të moderuar që mësimet janë shumë të rëndësishme, është e rëndësishme që ne të kryesojmë. Domethënë kam bërë një gjë, që për mua është gabim, por më pas kam reflektuar dhe kam filluar të ul dozën.
Katerina Trungu: Pra vure re që kishte ngarkesë tek ai.
Andriola Kambo: Po kishte, por pa dashje. Për të justifikuar atë mungesën time dhe për qenë e “pranishme” duke gjetur një mekanizëm dhe duke e orientuar, por kuptova që fëmijët sot kanë një ngarkesë shumë të madhe, jo vetëm nga ana e mësimeve./tvklan.al