Shpesh herë ndodh që disa punë që kemi për të bërë t’i neglizhojmë ose t’i zvarrisim deri në momentin e fundit. Zvarritja ose përtesa për të finalizuar një punë, projekt apo diçka tjetër, mund të ketë pasoja që në fund mund të mos na pëlqejnë.

Psikologët thonë se dëshira për të shtyrë deri në momentin e fundit gjërat që kemi planifikuar të bëjmë ose domosdoshmërisht duhet të bëjmë, lidhet me ndjesinë e frikës së dështimit, apo mungesës së motivimit.

Në studion “Shije Shtëpie” në Tv Klan të ftuarit treguan historitë e tyre personale, rastet kur i kanë lënë gjërat për momentin e fundit. Moderatorja e programit, Katerina Trungu ndau me publikun një histori të sajën në periudhën kur ishte studente. Siç tregon vetë ajo neglizhenca dhe përtesa e detyroi që të përsëriste disa herë provimin.

Katerina Trungu: Po më kujtohet tani një rast kur unë kisha për të bërë një detyrë me një material që e kisha vetëm unë. Pedagogu im nuk kishte kopje dhe ma kishte lënë me shumë merak, dhe më tha “këtë po ta jap, bëje detyrën dhe ma kthe përsëri se nuk kam tjetër”. Kisha dikur tek 3 javë kohë, asnjë ditë nuk e mora, por e lija gjithmonë mbi tavolinë tek dhoma e ndenjes. E lashë një ditë dy, një javë, 10 ditë. Sigurisht, ime më e mori e bëri “shuk” dhe e hodhi, unë nuk e pashë. Pas dy javës, kisha mbërritur tek java e fundit ku unë duhet të punoja, nuk i gjeta më letrat, është bërë nami në shtëpi dhe në fakultet. U detyrova ta jepja atë lëndë shumë herë nga inati i pedagogut sepse i humba dokumentet. Që do të thotë përtesë e paparë, por që ndodh ndonjëherë që dhe mund të humbasësh, kushedi si vijnë rrethanat dhe dështon./tvklan.al