Të ftuarit në studion e “Shije Shtëpie” diskutuan për mënyrën e edukimit dhe rritjes së fëmijëve. Adoleshenca dhe sjelljet e brezit të ri të inspiruara dhe nga rrjetet sociale gjithnjë dhe më shumë po ngjallin shqetësim tek prindërit dhe në shoqëri.

Gazetarja e Mirilda Tili gjatë diskutimit të saj u shpreh se peshën kryesore për edukimin e fëmijëve e kanë prindërit. “Prindërimi modern na ka marrë në qafë,” tha ajo teksa shtoi se stili i jetesës së prindërve është shembull tek fëmijët.

Mirilda Tili: Ky prindërimi modern na ka marrë në qafë dhe e them literalisht shprehjen “na ka marrë në qafë” sepse ne vijmë nga modeli i prindërve që punonin 8 orë e pastaj vinin në shtëpi dhe ishin përsëri duke punuar apo pastruar. Ndërkohë që ne prindërit modernë sot edhe kur vijmë në shtëpi hyjmë me telefon në dorë sepse jemi në punë. Ne jemi shembull për fëmijët tanë, qoftë për mirë apo për keq. Stili ynë i jetesës është shembull absolut tek fëmijët dhe kur ne kërkojmë të rrisim fëmijë, do doja që prindërit të mos fokusohen tek ushqyerja e tyre vetëm fizike, pra vetëm t’u mbushim barkun, t’i veshim dhe t’i argëtojmë sa herë që kërkojnë fëmijët të dalin. Sepse nëse ne kemi sot një rini të hallakatur përgjegjësia maksimale është vetëm e prindërve, vetëm e jona. Duam apo s’duam, ne jemi shembulli i fëmijëve dhe gishti i kritikës duhet të vijë tek prindi. Ne jemi në një situatë, ku jo më larg se biseda që kemi bërë bashkë në studio kam thënë që jam e frikësuar nga adoleshentët e sotëm dhe jam e frikësuar për faktin se hormonalisht fëmijët po piqen shumë më shpejt se sa brezi jonë, që do të thotë se fëmijët ty sot të flasin për tema që ne i kemi kuptuar, perceptuar pas të 20-ve tona. Dhe i vetmi autoritet që ne duhet të përdorim është përmes dashurisë dhe komunikimit. E bërtitura thjesht na çliron ne si prindër, por nuk është se zgjidh gjë tek fëmija. Dhuna jo vetëm që nuk zgjidh, por prish.

Gazetarja Mirilda Tili ndau dhe një histori personale në familjen e saj, duke shprehur dilemën nëse mënyra si kishte vepruar me vajzën e saj që s’kishte bërë detyrat ishte e duhura.

Mirilda Tili: Ne kemi dy javë në shtëpi që im shoq më mban qëndrim se përse unë u bërtita sime bije. I bërtita sime bije sepse më gënjen për detyrat. Në logjikën time unë edhe sot mendoj se kisha të drejtë të bërtisja, në logjikën e tim shoqi kjo ishte një gafë shumë e madhe nga ana ime si prind sepse unë thjesht do ta shtyj atë që të më gënjejë edhe herë të tjera nga frika se unë do i bërtas./tvklan.al