Rimbursimi i TVSH-së si dhe krijimi i “Kodit të tokës”, kanë qenë dy nga pikat e programit të Partisë Socialiste që kryetari Edi Rama ka diskutuar gjatë një takimi me shoqatën e investitorëve të huaja në Shqipëri. Sipas kreut të selisë rozë, rimbursimi i TVSH-së do t’i japë një shtysë të fuqishme ekonomisë.
Sipas Ramës me krijimin e “Kodit të tokës” synohet të ndërtohet një kadastër multifunksionale e cila mungon tërësisht në Shqipëri.
Edi Rama: “Në nga pikat që kemi theksuar në programin tonë është pikërisht rimbursimi i TVSH-së të cilës do ti shtojmë edhe incentivat fiskale në lidhje me importin e makinerive të reja si dhe investimet. Kjo do ti lejojë investorët që ta trajtojnë këtë taksë në disa faza menjëherë pasi të kenë ndërmarrë hapin e parë. Kjo është një politikë që ne do ta zbatojmë me shumë dëshirë pasi do të japim një shtytje të fuqishme ekonomisë në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë asaj rurale.”
Sipas Ramës me krijimin e “Kodit të tokës” synohet të ndërtohet një kadastër multifunksionale, e cila mungon tërësisht në Shqipëri.
Edi Rama: “Ajo që duam të trajtojmë ne në mandatin tonë të parë është krijimi i Kodit të tokës. Një kadastër multifunksionale e cila mungon plotësisht në Shqipëri, por që është një motor i rëndësishëm për ti dhënë një kuptim dhe drejtim investimeve të reja dhe ekonomisë në përgjithësi. Kodi i tokës nga njëra anë dhe një kadastër multifunksionale nga ana tjetër, së bashku do të bëjnë të mundur një ndryshim të dukshëm në drejtimin e administrimit të tokës, në mënyrë të veçantë investimet që lidhen me zonat rurale janë përdorur përherë për influencë politike dhe për qëllime elektorale.”
Gjatë fjalës së tij kryesocialisti Rama ka deklaruar se krahu i lirë i punës mund të jetë një avantazh por nga ana tjetër ai mund të jetë dhe një mangësi. Pikërisht për këtë arsye ka shtuar Edi Rama duhet të përpiqemi të arrihet një bashkëpunim me komunitetin e biznesit për trajtimin profesional dhe kualifikimin e të rinjve./tvklan.al