Nuk prodhoi fitues sfida mes Egnatias dhe Dinamos, e cila u mbyll në barazim 1-1. Në Rrogozhinë ishte një ndeshje spektakolare dhe e luftuar nga të dyja ekipet, që në fund ishin të detyruara të ndanin pikët.

Ndeshja e vlefshme për javën e 10-të në Superiore, u vendos nga dy penallti. Në minutën e 19-të, Lushkja u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke i dhënë avantazhin Egnatia.

Megjithatë, ishte një tjetër 11 metërsh që vendosi baraspeshën, me Bregun, që shënoi për Dinamon.

Rezultat nuk ndryshoi në pjesën e dytë, ndonëse rrogozhinasit luajtën me 10 lojtarë nga minuta e 53-të, pasi Aleksi u ndëshkua me karton të kuq.

Me këtë barazim, Egnatia mban vendin e dytë në renditje me 16 pikë, po aq sa Partizani kryesues dhe Dinamo e vendit të tretë. /tvklan.al