Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, deklaroi se pushimi i kombëtareve i ka bërë mirë skuadrës së tij, pasi janë kthyer lojtarët e dëmtuar.

Në prag të takimit me Teutën, tekniku i rrogozhinasve deklaroi se përqendrimi ka qenë maksimal për sfidën ndaj durrsakëve.

“Mendoj se pushimi na ka bërë mirë, sepse kemi pasur disa lojtarë të dëmtuar, të cilët i kemi rikuperuar. Grupi është gati, përveç Malotës dhe Aleksit. Teuta ka bërë mirë në ndeshjet e fundit, por mendoj për ekipin tim. Kemi marrë një tjetër ritëm këto dy javë. Kanë ardhur lojtarët nga dëmtimet. Aleksi dhe Malota janë të rëndësishëm, por edhe ata që do i zëvendësojnë, janë në ritmin e duhur. Teuta është ndeshja e fundit e fazës. Është mirë që të përqendrohemi te kjo ndeshje dhe më pas tek ajo që vjen ndaj Dinamos.”, tha ai.  

Sipas tij, afrimi i pak ditëve më parë, Frederic Veseli, nuk është ende gati për të zbritur në fushë, pasi i duhen edhe 5-6 javë për të kapur formën.

“I njohim karakteristikat e Veselit. Është një vlerë e shtuar, sepse ka luajtur në nivele të larta. Mendoj hap pas hapi, duke parë edhe testet, mendoj se ka nevojë për pak punë individuale, besoj se do të jetë gati për 5-6 javë.”, deklaroi Tetova.

Ndeshja Egnatia-Teuta do të luhet këtë të shtunë, në orën 14:00. /tvklan.al