Këto janë momentet e ekstradimit në Shqipëri të Agron Tufës i dënuar me 30 vite burg për një vrasje në vitin 2018 në Nikël të Krujës.

Arrestimi i tij u krye në Itali, aty ku lokalizua në qytetin e Barit nga Interpol Tirana e cila në bashkëpunim me autoritetet e vendit fqinj prangosën 52-vjeçarin që prej vitesh i fshihej drejtësisë shqiptare.

Për Tufën, Gjykata e Krujës ka caktuar në vitin 2021, 3 dekada burg pasi akuzohet se në vitin 2018, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, të identifikuar si Hysni Rama, të arrestuar dhe dënuar me 20 vite burg kanë vrarë 34-vjeçarin, Kevin Hysa.

Trupi i të riut nga Gjormi i Kurbini pasi është ekzekutuar, është djegur prej tyre dhe më pas është groposur në afërsi të varrezave të fshatit Shelqet të Krujës.

Viktima ishte në atë kohë në kërkim nga policia si i dyshuar për një vrasje të ndodhur në Sarandë. Ishin familjarët e tij që shkuan në polici dhe thanë se kishin humbur gjurmët me të riun.

Hetimet e policisë në atë kohë krijuan dyshimet se shkak i ngjarjes së rëndë u bë një konflikt për prishjen e pazareve të drogës. 34-vjeçari, Kevin Hysa u qëllua me një plumb në kokë dhe më pas u gropos pranë një parcele me kanabis zonën e Krujës.

Tv Klan