Fenomeni i rrëshqitjes së tokës ka marrë përmasa vërtet shqetësuese në zonën e Mallakastrës.
Qindra hektarë tokë dhe dhjetëra shtëpia janë shkatërruar. Situata paraqitet alarmante kryesisht në komunën qendër, në fshatin Gracie, atë Lapulec e Drenovë.
Vetë banorët shprehin të frikësuar nga rrëshqet e tokës që ka prekur këtë zonë ditët e fundit, teksa pohojnë se janë shpërngulur nga banesat e tyre për t’u strehuar tek të afërmit.
Bilbil Koçiaj: “Dëgjoja krismat, natën kur flija dhe nuk më zinte gjumi. Gjatë nate u tmerrova me thënë të drejtën edhe dola nga shtëpitë, mora çunin, gruan, dola nga shtëpitë edhe nxora plaçkat përjashta se s’kisha ça të beja më tepër. Fle përjashta në maqinë. Kam një maqinë të vjetër aty dhe gruaja fle te vëllai.”
Bektash Sina: “Banesa është jashtë përdorimit njëra dhe tjetra është e rrezikuar. Të dyja banesat nuk janë në gjendje të banueshme, por njëra një herë është jashtë banimit. Nuk jetohet sot për sot.”
Bëhet fjalë për pesë hektarë tokë dhe pesë shtëpi, të cilat tashmë janë të pabanueshme, ndërsa në më shumë se dhjetë banesa të tjera në komunën Qendër shënohet një numër i konsiderueshëm dëmesh.
Luan Muçaj: “Ne kemi pothuajse dy-tre komisione të përditshme që shkojnë në çdo fshat, në çdo lagje, ku kanë ndodhur këto shkarje dhe rrëshqitje të tokës, për të qenë sa më të shpejtë në vlerësimin e këtyre dëmeve dhe për qenë sa më të shpejtë në eliminimin e këtyre, ose më shkurt për t’u ardhur në ndihmë sa më shpejt banorëve, të cilët janë prekur nga kjo rrëshqitje masive në qarkun e Fierit.”
Për të ndjekur më nga afër situatën problematike në zonën e Mallakastrës, ka zbritur edhe deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj.
Ai u njoh më nga afër me dëmet e shkaktuara dhe punën që po bëhet nga pushteti lokal për t’u ardhur në ndihmë familjeve të prekura.
Enkelejd Alibeaj: “Mbas të gjithë vlerësimit të dëmit, do të merren masat dhe, siç ka thënë edhe kryeministri, do të merren të gjitha masat për shpërblimin konkret të të gjithë banorëve”
Por rrëshqitja e tokës ka shkaktuar dhe një çarje afro dy kilometra të rrugës që lidh fshatin Gracie me qytetin e Ballshit dhe atë të Fierit, duke izoluar dhjetëra familje./tvklan.al