Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Virusi i gripit prej disa ditësh ka prekur fëmijët e vegjël. Epidemia virale ndihet më tepër në kopshte ku mosha është edhe më e vogël. Kështu në disa nga kopshtet e kryeqytetit frekuentimi i fëmijëve në dy ditët e fundit, ka qenë i pakët. Drejtoresha e kopshtit 31, Tatjana Pine thotë:

“Kapaciteti i kopshtit 31 është 200 fëmijë. Frekuentojnë rregullisht 160-170 fëmijë. Në ditët e para të muajit Shkurt ka një rënie drastike të frekuentimit të fëmijëve në kopsht. Mendoj që është një farë epidemie përderisa mungon 50% e fëmijëve”.

Pak më ndryshe është paraqitur gjendja nëpër shkollat 8-vjeçare. Më të prekurit kanë qenë fëmijët nga klasa e parë fillore deri në të pestën. Ndërsa në klasat e ciklit të lartë mungesat kanë qenë të pakta. Nga 700 nxënës që mësojnë në shkollën “Siri Kodra”, vetëm sot kanë munguar 80 nxënës.

Sipas mjekëve virusi i gripit edhe këtë herë ka të njëjtin emër AH3N2, grip australian. Sipas ISHP, ky virus qarkullin në vendin, tonë që nga viti 1994 dhe është e njëjta epidemi që ka prekur disa rajone në Europë. Në këto raste mjekët këshillojnë lëngje dhe përdorimin e paracetamolit. Pediatri Edmond Pisulli thotë:

Mjeku Edmond Pisulli:- “Periudha e zgjatjes së gripit zakonisht vazhdon deri në 5-6 ditë maksimumi. Normalisht nëse ka një infeksion viral pas 6 ditësh temperatura duhet të bjerë dhe gjendja të stabilizohet, në rast të zgjatjes mbi 6 ditë, atëherë duhet të parë se kemi diçka tjetër, pra gripi ka dhënë një ndërlikim. Kujdesi që duhet pasur në këto raste, të infeksioneve virale është kryesisht mbajtja me lëngje e fëmijëve”./tvklan.al