Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të Ministrit të ri të Brendshëm tha pasditen e kësaj të premteje se emri i Bledi Çuçit ishte përzgjedhur pa dijeninë e tij. Saktësimin e bëri kur ish-Ministri Sandër Lleshaj tha se Çuçi kishte ardhur në krye të Ministrisë së Brendshme pa dëshirën e tij.

“Është bërë një zgjedhje e mirë me  pasardhësin, sepse është një brengë e madhe se kujt ia dorëzon çelësin. Unë kam dorëzuar shpeshherë çelës gjatë karrierës time dhe gjithmonë e kam pasur këtë merak, se kujt ia dorëzoj. Para disa netësh jam pyetur në një intervistë se çfarë këshille do t’i jepja pasardhësit, nuk e dija se kush do të ishte pasardhësi në atë kohë dhe thashë që do të doja t’i jepja këtë këshillë: Nëse pasardhësi do të ishte një person i cili vjen në atë post pa dëshirën e tij, pra nëse pasardhësi nuk është ndonjë person që vdes për t’u bërë ministër, nuk kisha as një këshillë për të dhënë sepse në këto kushte puna do të shkojë sezbën mirë. Pra nëse ai që vjen nuk vjen me ndonjë etje të madhe për t’u bërë ministër jam i sigurt që vetëm ky parakusht mjafton që punët shkojnë mirë. Dhe jam i bindur që me Bled Çuçin do të shkojë mirë, për arsye se e kam çekuar më vonë që ka ardhur pa dëshirën e tij, nuk ka patur ndonjë plan për të ardhur”, tha Lleshaj.

Por pikërisht kjo fjali solli reagimin e Kryeministit Edi Rama, i cili saktësoi:

“Ka ardhur pa dijeninë e tij, jo pa dëshirën, se duket sikur ka ardhur mezor. Ka ardhur pa dijeninë e tij dhe nuk ka pasur mundësi as ta thotë sesa dëshirë e ka”.

Ndërkohë, duket folur për dy vitet e tij në krye të Ministrisë së Brendshme, Lleshaj tha se kishin qenë vite shumë të ngarkuara,”politike, tektonike dhe pandemike”.

“Kanë qenë një udhëtim dinamik, dy vite shumë të ngarkuara, së pari të ngarkuara me një lloj etheje të madhe politike, pastaj dhe dinamikë me tektonikë të fortë dhe me pandemi të fortë. Pra kanë qenë politike, tektonike dhe pandemike këto dy vite, të cilat na kanë provuar që institucionet e shtetit tonë funksionojnë. Unë them që 2019 ishte sfida e madhe e një etheje politike e cila u drejtua paradoksalisht kundër shtetit në thelbin e vet, gjë që na dëshmon që ende kemi nevojë për të kuptuar një leksion elementar të demokracisë që kurrë protesta nuk drejtohet kundër shtetit për arsyen e thjeshtë që ne nuk jemi pronarë të tij. Ky shtet është produkt i një përpjekje shekullore të shqiptarëve që e kanë aspiruar, themeluar, ngritur e konsoliduar dhe ne sot jemi vetëm një brez i përkohshëm që e administrojmë këtë shtet.”

Sandër Lleshaj dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Brendshëm pak ditë pas vrasjes nga policia të 25-vjeçarit Klodian Rasha.  /tvklan.al