EULEX përmes një komunikate ka thënë se Dita Ndërkombëtare e të zhdukurve shërben për të ngritur vëmendjen e autoriteteve, mediave dhe opinionit të përgjithshëm anembanë botës për gjendjen e vështirë të të pagjeturve dhe familjeve të tyre.

Sipas tyre, thuhet se të zhdukurit në Kosovë është “çështje e ndjeshme e cila prek mijëra njerëz në Kosovë dhe paraqet një nga çështjet më të rëndësishme për EULEX-in”.

“EULEX-i ndihmon Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë, në përpjekjet e tij intensive në përcaktimin e fatit e të zhdukurve. Veç kësaj, EULEX/IML fuqimisht bashkërendon veprimet me shoqatat e familjeve, familjet individualisht dhe akterët tjerë në proces”.

Që kur ka filluar punën EULEX-i në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Dhjetor 2008, mbetjet mortore të 491 viktimave nga konflikti i’u janë kthyer familjeve të tyre. Nga kjo dalin 387 persona të zhdukur e të cilët janë gjetur nga puna intensive në terren (mbi 554 operacione fushore), analiza laboratorike (punë intensive të autopsive dhe identifikimeve, përfshirë 2100 mostra ashtërore të zgjedhura për teste të AND-së) dhe inspektime arkivore, raporton Klan Kosova.

Instituti i Mjekësisë Ligjore me përkrahjen e ekspertëve mjeko-ligjor të EULEX-it, do të vazhdojë të ushtrojë mandatin e tij në gjetjen e fatit të zhdukurve sa më shpejt që të jetë e mundur./tvklan.al