Bashkimi Evropian ka miratuar dhënien e një shume prej 1.2 miliardë euro shtesë përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.
Kjo shumë është planifikuar që të përdoret kryesisht për modernizimin e hekurudhave me qëllim të rritjes së shpejtësisë së trenave në Serbi si dhe për menaxhimin e ujit dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme në BiH dhe Mal të Zi.
Kjo është një platformë e përbashkët financiare e nisur 15 vjet më parë, e cila bashkon Komisionin Evropian, organizatat financiare, vendet anëtare të BE-së dhe Norvegjinë, me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit në investimet e sektorit publik dhe privat.
Korniza e investimeve financohet kryesisht nga BE-ja me kontribute nga shtetet anëtare të Unionit, Norvegjia dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
BE-ja ka miratuar deri më tani programe me vlerë 17.5 miliardë për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Planit Ekonomik dhe të Investimeve.
Nga korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor Shqipëria ka marre një grant prej 2.6 milionë euro për zhvillimin e një termocentrali diellor fotovoltaik lundrues në rezervuarin e hidrocentralit të Vaut të Dejës (HEC). Impianti PV parashikohet të gjenerojë 18 GËh energji elektrike dhe të reduktojë emetimet e dyoksidit të karbonit me 8,700 ton në vit.
Projekti pritet të përfundojë në vitin 2025. Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor po avancon me financimin e projekteve hekurudhore që shoqërojnë Korridorin rrugor VIII.
Kostoja totale e hekurudhës nga Durrësi në Bullgari llogaritet në 2 miliardë euro, nga të cilat rreth 420 milionë euro do të investohen në pjesën shqiptare në dy segmentet e hekurudhës nga Durrësi në Rrogozhine dhe më pas nga Rrogozhina në kufirin me vendin fqinj.
Klan News