Papa Françesku ka zbuluar për herë të parë se ishte shënjestër e një tentative për sulm vetëvrasës gjatë vizitës së tij në Irak tre vjet më pare.
Ky është rrëfimi i parë i një pape dhe ndoshta udhëtimi më i rrezikshëm jashtë vendit të tij. Në një fragment të botuar nga një autobiografi e tij që pritet të botohet së shpejti Papa Françesku tha se ishte informuar nga policia pasi zbarkoi në Bagdad në Mars 2021 se të paktën dy kamikazë po synonin sulmin ndaj tij.
“Një grua e mbushur me eksploziv, një kamikaze e re, po shkonte në Mosul për të hedhur veten në erë gjatë vizitës papale. Dhe një furgon gjithashtu ishte nisur me shpejtësi të plotë me të njëjtin qëllim,” shkroi Papa, sipas një fragmenti nga libri në të përditshmen italiane Corriere della Sera.
Në fragmentin e publikuar Ati i Shenjtë tha se Vatikani ishte informuar për atentatin nga inteligjenca britanike. Papa shprehet se pyeti një zyrtar të sigurisë se çfarë kishte ndodhur me sulmuesit e mundshëm.
“Komandanti u përgjigj : “Ata nuk janë më. Policia irakiane i kishte kapur dhe i hodhi në erë”, shkroi Papa Françesku.
Vizita e Françeskut në Mosul ishte një moment kyç gjatë udhëtimit të tij në Irak. Qyteti i dytë më i madh i Irakut kishte qenë nën kontrollin e Shtetit Islamik nga viti 2014 deri në vitin 2017. Papa vizitoi rrënojat e katër kishave të shkatërruara atje nga ku bëri edhe një apel për paqe.
Gjatë udhëtimit, Vatikani dha pak detaje rreth përgatitjeve të sigurisë për Papën . Shumë nga ngjarjet gjatë vizitës së tij, e cila u zhvillua në kohën kur pandemia COVID-19 po lehtësohej dhe disa vende kishin hequr kufizimet e udhëtimeve për një numër të kufizuar njerëzish.
Autobiografia e re e Françeskut, e titulluar “Shpresa”, do të publikohet më 14 Janar në më shumë se 80 vende. Papa botoi gjithashtu një fragment nga kujtimet e tij në mars të këtij viti.
Klan News