Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Socialistët sot festojnë ndryshe nga vite më parë dhe janë pikërisht më të rinjtë e tyre në 9 vjetorin e krijimit. “9 vjet në 9 minuta”, ka sjellë në sallën e Pallatit të Kongreseve pamjet e Forumit Rinor Eurosocialist, që nga krijimi në vitin 92, e deri më sot.

Fatos Nano, Kryetari i PS:- “Ne socialistët mbetemi të bindur se do t’i paraqesim elektoratit shqiptarë në zgjedhjet e Qershorit 2001, programin dhe ekipin realizues më të mirë të dekadës së fundit, pasi filtri ynë bazohet rreptësishtë në parimin e shanseve të barabarta, për të gjithë ata që mendojnë se kanë potenciale, për të shërbyer në dobi të PS dhe të Shqipërisë”.

Më pas ka folur edhe kryetari i FRESH-it, kryeministri Meta. Ai iu ka premtuar anëtarëve të këtij forumi, se do të duartrokasë më shumë nesër kur të jetë në sallë i ftuar.

Kryeministri Ilir Meta:- “Ju me të drejtë dëshironi të bashkoheni me Europën e Bashkuar, sepse unë e di se pas hymnit kombëtar, hymni i dytë për ju është “Go West”, sepse ju nuk doni që Shqipëria të jetë e dënuar nga fati dhe historia si në të kaluarën”.

Në përfundim nën ritmet e muzikës së zgjedhur të rinjtë socialistë kanë marrë përshëndetje, por edhe autografe nga më të mëdhenjtë e tyre./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego