Në të gjitha pikat e kalimit kufitar në vend janë shtuar sportelet për të përballuar fluksin e emigrantëve që vijnë në Shqipëri, por edhe të turistëve.

Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, në periudhën 20 Dhjetor deri në 27 Dhjetor në vend kanë hyrë 266.219 persona, nga të cilët janë 178.120 janë emigrantë kurse 88.099 qytetarë të huaj. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ka një rritje me 13%.

Sa i përket pjesës tjetër të popullsisë që preferojnë t’i kalojnë festat e fundvitit jashtë Shqipërisë, rezulton që në harkun kohor të një jave nga vendi ynë të kenë dalë 170.879 persona, shifër kjo 19% më e vogël se e një viti më parë.

Në kuadër të masave, Policia Kufitare po bashkëpunon ngushtë me strukturat e tjera të Policisë së Shtetit, si dhe me Policitë homologe. Është rritur prezenca policore në patrullim në kufirin jeshil e atë blu, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale që mund të tentohet të kryhet nëpërmjet kufirit jeshil apo atij blu.

/tvklan.al