Propozimi i “Fratelli d’Italia”, partisë së kryeministres italiane Xhorxhia Meloni për t’ia hequr seksionit për imigracionin të drejtën për të vlerësuar mbajtjen e emigrantëve në kampe dhe për t’ia kaluar atë Gjykatës së Apelit është kundërshtuar ashpër nga gjyqtarët.

Lëvizja e partisë në pushtet erdhi, pasi gjykata e Romës nuk aprovoi mbajtjen e emigrantëve në kampin e Gjadrit.

Giuseppe Santalucia, president i Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve italianë: Me një goditje të lapsit duan të përmbysin strukturën e zakonshme të kompetencave. Është shumë e vështirë të gjesh një parim racionaliteti në këtë shtrembërim të rendit të kompetencave.

Ai hedh poshtë edhe akuzat e përfaqësuesve të qeverisë italiane për vendime politike nga gjykatësit.

Giuseppe Santalucia, president i Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve italianë:Ne kemi për detyrë të ritheksojmë se drejtësia italiane nuk është në asnjë pjesë e prekur nga fraksionizmi politik dhe nuk është kundër programeve të atyre që sot janë shumica politike në qeveri.

Ai u dha përgjigje edhe kritikave njeriut më të pasur të botës, Elon Musk që reagoi në krah të Melonit.

Giuseppe Santalucia, president i Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve italianë:Kritika është gjithmonë e mirëseardhur ngado që vjen, por të thuash që gjyqtarët duhet të largohen nuk është kritikë, është një shpifje. Musk është një figurë me ndikim dhe pyes veten nëse një mesazh i këtij lloji nuk hedh një dritë mjaft negative mbi vendin.

Çështja e mbajtjes së emigrantëve në kampin e Gjadrit është adresuar në Gjykatën Europiane të Drejtësië për të sqaruar konceptin e “vendeve të sigurta”.

Tv Klan