Trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, pret fitore nga skuadra e tij, për ndeshjen e radhës në transfertë ndaj Monza-s.

Tekniku kuqezi, deklaroi se është i kënaqur me atë që skuadra e tij tregoi ndaj Napolit, pavarësisht humbjes.

Fonseca deklaroi se skuadra ka punuar shumë mirë në stërvitje dhe mendon se do të kthehen nga kjo ndeshje me fitore, ndonëse kërkoi përqendrim maksimal.

“Ne jemi të vetëdijshëm për atë që bëmë ndaj Napolit. Është e vërtetë që nuk jemi të lumtur, sepse humbëm një ndeshje që duhet ta kishim fituar. Kemi luajtur për të fituar, por duhet të kuptojmë se çfarë është rritja e ekipit. Skuadra ka besim. Është e vërtetë që punohet më mirë me rezultate pozitive, por unë mendoj se djemtë janë të motivuar dhe të fortë mendërisht për momentin. Ne jemi gati për këtë ndeshje të vështirë kundër Monza-s.

Ne gjithmonë luajmë për të fituar sepse ky është objektivi ynë. Të njëjtën gjë synojmë edhe këtë herë. Ne duhet të fitojmë nesër. Do të jetë e vështirë, por ne duam të fillojmë të fitojmë edhe ndeshjet jashtë shtëpisë. Kemi rikthimin e lojtarëve të rëndësishëm që nuk luajtën kundër Napolit, por kushdo që doli në fushë në atë ndeshje tregoi se sa i rëndësishëm mund të jetë. Jam i kënaqur me ata që luajtën kundër Napolit, ata janë gati. Për mua është diçka pozitive kur kam vështirësi në zgjedhje.

Monza është një skuadër e fortë, kanë barazuar kundër Interit. Ata janë një ekip cilësor dhe janë të stërvitur shumë mirë. Unë u thashë djemve se do të jetë një ndeshje e vështirë. Ne duam të fitojmë. Skuadra dhe lojtarët e meritojnë fitoren për mënyrën se si ata luajtën dhe si punuan këtë javë”, deklaroi Fonseca.

Ndeshja Monza-Milan, do të luhet të shtunën, në orën 20:45. /tvklan.al